Klubet e Kosovës gëzohen që Challandesi ftoi lojtarë të Superligës për miqësoren ndaj Suedisë

Prishtinë | 24 Dhj 2019 | 16:58 | Nga Ekonomia Online

Ftesa e përzgjedhësit të Kosovës në futboll, Bernard Challandes, për shumë futbollistë të Superligës së Kosovës për ndeshjen miqësore kundër Suedisë, ka gëzuar klubet kosovare.

Sot Challandesi publikoi listën e lojtarëve të ftuar për miqësoren që do të zhvillohet më 12 janar në Doha të Katarit. 13 lojtarë të ftuar ishin nga klubet e Superligës së Kosovës.

Challandes ftoi tre futbollistë të liderit të Superligës, Ballkanit. Arbër Hoxha, Jetmir Topalli e Blendi Baftiu janë ftuar për herë të parë nga ekipi A i Kosovës.

“Super 3-shja e klubit tonë për herë të parë ftohen nga Kombëtarja A , shumë suksese me fanellen e Kosovës Luana, na bëni krenar”, ka shkruar me këtë rast Ballkani në një postim në Facebook.

Nga klubi i Gjilanit është ftuar mbrojtësi Edison Kqiku. Në një postim në Facebook, klubi i Gjilanit ka thënë se shpreson që edhe në të ardhmen të ftohen futbollistë nga Superliga. Ky klub ka vlerësuar se një gjë e tillë do të ndihmonte rritjen e cilësisë në futbollin vendor.

Nga Llapi është ftuar mesfushori Valmir Veliu. Ky klub ka vlerësuar se “kjo e arritur është falë punës dhe mundësisë së klubit për avancimin e të rinjve, si dhe vetë futbollistit i cili tashmë e dy edicione ka shkëlqyer në paraqitjet e tij me Llapin dhe Kosovën U21”.

Kjo është lista e plotë e të ftuarve nga Challandesi për miqësoren me Suedinë:

Trajneri i njohur kosovar, Gani Sejdiu, në një prononcim për KP, ka thënë se ftesa për futbollistët e Superligës është rast i mirë për ta që të tregojnë veten.

“Kjo është një listë vetëm për miqësore dhe e cila pastaj nuk merret parasysh për kualifikuese, por është një rast i mirë për lojtarët e Superligës, që të tregojnë vlerat e tyre dhe njëkohësisht një test i një niveli më të lart. Mua personalisht më ka pëlqyer ky vendim që në këtë miqësore të ftohen lojtarët e Superligës, sepse kjo e promovon ligën dhe i motivon lojtarët për më shumë profesionalizëm nëpër klube sepse edhe prej Superligës ju vjen rasti në kombëtare”, ka deklaruar ai.

Të ngjashme