Një klub që funksionon në Kosovë do të luajë në gjysmëfinale të Kupës së Serbisë. Bëhet fjalë për klubin e volejbollit “Kosovska Mitrovica” nga qyteti i Mitrovicës që kualifikimin në turneun final të edicionit të 52-të të Kupës së Serbisë e arriti të enjten mbrëma.
“Kosovska Mitrovica”, natyrisht, është klub i serbëve të qytetit verior të Kosovës që bënë gara nën ombrellën e Federatës së Volejbollit të Serbisë, shkruan sot Koha Ditore.
Suksesin, që u vlerësua historik, klubi “Kosovska Mitrovica” e arriti në palestrën në Leposaviq, qytet ky po ashtu në veri të Kosovës që banohet kryesisht nga serbët. Në mungesë të një palestre në pjesën veriore të Mitrovicës, klubi ndeshjet i luan në Leposaviq. Në këtë qytet fitoi me rezultatin 3:1 në sete ndaj Radniçkit të Kragujevcit.
Edhe ndeshja e parë e luajtur në Kragujevc kishte përfunduar 3:1 për vendasit, por ekipi nga territori i Kosovës u kualifikua tutje falë rezultatit më të mirë të përgjithshëm pas dy ndeshjeve.