Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut ka reaguar ndaj arrestimit të shtetasit kosovar Ibrahim Matoshi nga policia serbe.
Sipas këtij këshilli, shtetasin e Kosovës duhet t’i shmangen udhëtimit përmes rrugës nga Serbia për t’u kursyer nga pritjet e stërgjatura dhe arrestimet e mundshme.
Reagimi i plotë:
“Autoritetet serbe, gjatë udhëtimit e ndaluan dhe e arrestuan shtetasin kosovar Ibrahim Matoshi me arsyetim se dyshohet për një vepër penale të vitit 1999 . Ibrahim Matoshi është dërguar në paraburgim pa e pasur të qartë pse është arrestuar. Nuk është hera e parë që shtetasit kosovarë arrestohen gjatë udhëtimit nëpër Serbi dhe pastaj lirohen , ose në mungesë të fakteve ose me dorëzani ( kaucion ). Kosova dhe Serbia kanë nënshkruar një marrëveshje për lëvizje të lirë e cila , ose nuk respektohet fare , ose respektohet vetëm pjesërisht. Autoritetet serbe po i keqpërdorin bisedimet duke shkaktuar probleme për shtetasit e Kosovës që , për shkaqe të ndryshme udhëtojnë përmes Serbisë si dhe për shtetasit e Kosovës që punojnë apo jetojnë në shtetet perëndimore duke i ndaluar ata , duke i arrestuar dhe duke i detyruar të paguajnë para për lirimin e tyre ndonëse nuk kanë arsye për ndalimin e tyre. KMDLNj , edhe më parë , edhe tash e ripërsërit kërkesën që , në të gjitha rrethanat kur ka mundësi të përdoret një rrugë alternative e udhëtimit , shtetasit e Kosovës dhe bashkatdhetarët t’i shmangen udhëtimit përmes Serbisë në mënyrë që të kursehen nga pritjet e qëllimshme në vendkalimet kufitare , maltretimeve nga policia serbe gjatë udhëtimit dhe arrestimeve të mundshme për vepra që shteti serb , sipas nevojave politike dhe të tjera sajon dosje , si arsyetim për t’i mbajtur nën arrest dhe për t’iu zhvatur para. Jo rrallë ndodhë që bashkatdhetarët që punojnë në shtetet perëndimore , ndalohen nga autoritetet serbe , mbahen një kohë deri sa paguajnë një shumë të parave , lirohen por e humbin vendin e punës në shtetin ku punojnë apo përballen me probleme të shumta. Autoritetet kosovare janë të pafuqishme të ndikojnë në këto raste kurse bashkësia ndërkombëtare , si lehtësues i këtyre bisedimeve dhe garantues i zbatimit të marrëveshjeve të nënshkruara në përgjithësi kurse në rastin konkret marrëveshjes për liri të lëvizjes , në emër të mosndërhyrjes në pavarësinë e gjyqësorit në Serbi , sillen në mënyrë oportuniste dhe në këtë mënyrë , në heshtje përkrahin maltretimin që iu bëhet shtetasve të Kosovës dhe atyre nga diaspora gjatë kalimit nëpër Serbi.
Në fushën e të drejtave të njeriut nuk njihet dhe nuk pranohet parimi i zbatimit të masave të reciprocitetit siç kërkojnë disa autoritete politike në Kosovë prandaj KMDLNj e kundërshton këtë qasje mirëpo kërkon që të zbatohet ligji në rast të vizitave të autoriteteve politike dhe fetare serbe që e përdorin gjuhën e urrejtjes në baza etnike apo që e rrezikojnë sigurinë e vendit . Po të veprohej në përputhje me ligjin , edhe arrestimet e shqiptarëve që udhëtojnë përmes Serbisë do të minimizoheshin krejtësisht dhe autoritetet serbe do të ishin shumë të kujdesshme.
KMDLNj , për shkak të raporteve të çrregulluara me Serbinë dhe shkaku se Serbia nuk ka gatishmëri të bashkëpunojë edhe në rastet e privimit nga liria kërkon që të formohet një mekanizëm joqeveritar që do të kishte mandat t’i vizitojë personat e privuar nga liria aq më parë që në burgjet e Kosovës ka shtetas të Serbisë , nën hetime apo në vuajtje të dënimit sikur që në burgjet e Serbisë ka shtetas të Kosovës. Për shkak të mungesës së bashkëpunimit , personat e privuar nga liria ballafaqohen me shkelje të të drejtave të njeriut dhe se nuk kanë një adresë për realizimin e këtyre të drejtave.