Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMDLNj) ka thënë se Ministria e Shëndetësisë nuk është duke i mbajtur premtimet e vazhdueshme për të ndihmuar në trajtimin e të prekurve me kancer.
Në njoftimin e lëshuar thuhet se mungesa e Ligjit për Sigurime Shëndetësore, që ende nuk po zbatohet në Kosovë po e rëndon dhe pamundëson trajtimin profesional të pacientëve me probleme të rënda shëndetësore.
“Klinika Onkologjike, sipas këtyre pacientëve, përkundër përpjekjeve që i bënë, nuk ka mundësi të sigurojë këto barna shumë të kushtueshme ndërsa Ministria e Shëndetësisë, përveç premtimeve të vazhdueshme ende nuk ka marrë asnjë veprim të tejkalojë këtë situate. Pacientët e tillë, në pamundësi të krijojnë mjete vetanake, për trajtim detyrohen të hyjnë në borxhe, të marrin kredi, të kërkojnë ndihma nga bamirësit apo të shesin prona”.
“Kujdesi shëndetësor për qytetarët e Kosovës është përgjegjësi e shtetit i cili ka dështuar në këtë aspekt ndonëse ka mjete të mjaftueshme financiare. Sigurimi i trajtimit shëndetësor në përputhje me nevojat e këtyre pacientëve është pjesë fundamentale e të drejtave të njeriut që garantohen me të gjitha dokumentet kombëtare dhe ndërkombëtare për këto të drejta që nga Deklarata Universale për të Drejtat e Njeriut e Kombeve të Bashkuara e deri te Kushtetuta e Kosovës. Pacientët me kancer në Kosovë jo që nuk po trajtohen në përputhje me të drejtat e njeriut që iu takojnë por as edhe çastet e fundit të jetës nuk po i kalojnë në mënyrë të dinjitetshme. Deputetët e Kuvendit të Kosovës asnjëherë nuk kanë hapur debat për këtë çështje duke përligjur një dukuri diskriminuese ku trajtimi bëhet në bazë të fuqisë materiale dhe statusit në shoqëri!”, thuhet në reagim.