Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut ka reaguar ndaj veprimit të sigurimit të zyrave të PDK-së ndaj pjesëtarëve të shoqërisë civile të cilët protestuan dje para selive të partive politike për të kundërshtuar Projektligjin për Financimin e Subjekteve Politike.
Sipas njoftimit për media, KMDLNj thotë se PDK duhet t’i kërkojë falje publike shoqërisë civile.
“Në këtë kontekst, ndonëse PDK-ë është distancuar nga veprimi i sigurimit duke e cilësuar si një keqkuptim, pret të bëjë edhe një hap tutje duke i kërkuar falje publike pjesëtarëve të marshit protestues të shoqërisë civile dhe në këtë mënyrë do ta dëshmonte gatishmërinë për një komunikim normal dhe demokratik me shoqërinë civile si kusht i domosdoshëm për ndërtimin, mirëmbajtjen dhe funksionimin e demokracisë, vlerë kjo në të cilën thirret edhe PDK”, thuhet në reagimin e KMDLNj-së.
KMDLNj përkujton opinionin si dhe subjektet politike se e drejta e protestës është e rregulluar me ligj dhe është e drejtë elementare e njeriut dhe si e tillë duhet të respektohet nga të gjithë për aq sa ka karakter paqësor.
Në rastin konkret, KMDLNj vlerëson se është interes edhe i subjekteve politike që të diskutojnë me shoqërinë civile pë Ligjin për Financimin e Subjekteve Politike në mënyrë që të bëhet i pranueshëm për të gjithe dhe në përputhje me standardet ndërkombëtare.
“Do të ishte shumë pozitiv edhe politikisht afirmative nëse dje, në vend që sigurimi i objektit të Selisë së PDK-së të merrej me protestuesit paqësorë, dikush nga kreu i PDK-së t’i pranojë në zyrat përfaqësues protestues të shqërisë civile dhe të diskutojë për projketligjin në fjalë. Kështu do të duhej të vepronin edhe subjektet tjera”, thekson KMDLNj./Telegrafi/