KMDLNj për letrën që Haxhiu i dërgoi homologes serbe: Kthimi i Nezir Mehmetajt dhe Petrit Dulës në Kosovë, mision i pamundur

Prishtinë | 14 Mar 2023 | 13:28 | Nga Ekonomia Online

Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMDLNj) ka reagur për letrën që ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, i ka dërguar asaj të Serbisë, Maja Popoviq, në të cilën është kërkuar që shtetasit e Kosovës, Nezir Mehmetaj dhe Petrit Dula, që janë të privuar nga liria në Serbi, të kthehen në Kosovë.

Sipas tyre, ministrja Haxhiu as nuk të marrë ndonjë përgjigje, pasi që Ministria e Drejtësisë së Serbisë nuk e njeh atë të Kosovës.

“Letra e ministres Haxhiu, përkundër, ndoshta vullnetit të mirë, nuk prodhon asnjë efekt juridik, efekti është në pikën zero”.

“Ministria e Drejtësisë e Kosovës sikur edhe shteti i Kosovës, në këto rrethana dhe në këto kushte nuk ka asnjë mundësi të realizojë kthimin e shtetasve të Kosovës që janë në burgjet e Serbisë por ka mundësi dhe detyrim që të kërkojë që të drejtat e tyre njerëzore të monitorohen përmes vizitave të rregullta në institucionet ku mbahen, qoftë nga Zyra e Kosovës apo ndonjë mekanizmi ndërkombëtar kurse, në të njëjtën kohë ka detyrim të sigurojë mbrojtje dhe ndihmë ligjore sikur që duhet të mbulojë të gjitha shpenzimet për familjet e të arrestuarve dhe të ndihmojë në organizimin e vizitave. Nëse krijohen kushtet dhe sigurohet leja për qasje, KMDLNj –ë shprehë gatishmëri dhe vullnet t’i vizitojë shtetasit e Kosovës që janë në burgjet e Serbisë”, thuhet në reagimin e KMDLNj-së.

Komunikata e plotë:

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu ditë më parë i dërgoi një letër  ministres së Drejtësisë së Serbisë, Maja Popoviq me të cilën kërkon që shtetasit e Kosovës, Nezir Mehmetaj dhe Petrit Dula që janë të privuar nga liria në Serbi të kthehen në Kosovë. Deri më tani nuk ka asnjë përgjigje nga Ministria e Drejtësisë nga Serbia dhe, KMDLNj –ë mendon se as që do të ketë ndonjë përgjigje. Në ndërkohë nga Ministria e Drejtësisë e Kosovës është sqaruar se nuk kanë kërkuar ekstradim dhe se ndaj të burgosurve në Serbi, në Kosovë nuk ka asnjë rast të hapur për pretendimet e supozuara të Prokurorisë Speciale serbe për krime lufte dhe as të ndonjë natyre tjetër. Ndaj Nezir Mehmetajt ka filluar gjykimi dhe ende nuk ka ndonjë vendim gjyqësor ndërsa Petrit Dula është dënuar me 2 vite burg në shkallën e parë e që nënkupton se ende nuk e kemi një vendim të formës së prerë të gjykatës përgjegjëse. Që të dy akuzohen dhe po dënohen për vepra penale të kryera në Kosovë dhe, në rrethana normale, nëse ka prova të mjaftueshme do të duhej të gjykoheshin në Kosovë. Nuk është hera e parë që shtetasit e Kosovës por edhe të Serbisë për vepra të kryera në Kosovë janë gjykuar në Serbi me ç’rast janë shqiptuar dënime simbolike apo edhe janë liruar nga çdo përgjegjësi penale sikur që ishte rasti i Sasha Cvijetan i gjykuar në Beograd për krime lufte ndaj civilëve shqiptarë në Podujevë ndaj familjeve Bogujevci, Duriqi dhe Gashi ku edhe KMDLNj –ë ka monitoruar dy seanca të gjykimit dhe të akuzuarve për masakrën ndaj familjes Berisha në Suharekë.

Në kohën kur bashkëpunimi midis ministrive përkatëse të drejtësisë por edhe të institucioneve tjera midis Kosovës dhe Serbisë janë në pikën zero dhe kur Ministria e Drejtësisë e Serbisë as që e njeh Ministrin e Drejtësisë së Kosovës, letra e ministres Haxhiu, përkundër, ndoshta vullnetit të mirë, nuk prodhon asnjë efekt juridik, efekti është në pikën zero. Letra e ministres Haxhiu vetëm rritë shpresat, pa asnjë bazë ligjore dhe pritjet e familjeve të Nezir Mehmetajt dhe Petrit Dulës se ata mund të kthehen në Kosovë në kohën që nuk ka asnjë marrëveshje midis dy ministrive dhe kur i tërë komunikimi bëhet përmes EULEX-it i cili ka treguar gjithmonë interesim për shtetasit e Serbisë, të arrestuar në Kosovë kurse nuk ka treguar fare interesim për shtetasit e Kosovës të arrestuar në Serbi. Presioni politik përmes EULEX-it dhe ambasadave të huaja ka ndikuar që shtetas të Serbisë të arrestuar në Kosovë, ose janë liruar ose iu është zëvendësuar masa e paraburgimit me një masë më të butë.

Në rrethana normale dhe kur nënshkruhet marrëveshja, transferimi i të dënuarve në vuajtje të dënimit nga Serbia në Kosovë dhe anasjelltas si dhe ekstradimi, kur janë në pëprputhje me ligjin do të ishte çështje teknike dhe interes i shteteve nënshkruese dhe, më së shumti do të përfitonin të dënuarit dhe familjet e tyre. Në Kosovë është një numër i shtetasve të Serbisë që i kanë plotësuar kushtet për shfrytëzim të beneficioneve siç është fundjava në shtëpi, shfrytëzimi i pushimeve si dhe vizitat humanitare por, shkaku se ata nuk mund të kthehen në Kosovë dhe, sigurisht se nuk do të kthehen, nuk i shfrytëzojnë këto të drejta të fituara që pëprbën shkelje të drejtave të njeriut të personave të privuar nga liria e që garantohen me Ligjin për Ekzekutimin e Sanksioneve Penale të Kosovës. Të njëjtën situatë e kemi edhe te shtetasit e Kosovës që janë në burgje të Serbisë në vuajtje të dënimit.

Ministria e Drejtësisë e Kosovës sikur edhe shteti i Kosovës, në këto rrethana dhe në këto kushte nuk ka asnjë mundësi të realizojë kthimin e shtetasve të Kosovës që janë në burgjet e Serbisë por ka mundësi dhe detyrim që të kërkojë që të drejtat e tyre njerëzore të monitorohen përmes vizitave të rregullta në institucionet ku mbahen, qoftë nga Zyra e Kosovës apo ndonjë mekanizmi ndërkombëtar kurse, në të njëjtën kohë ka detyrim të sigurojë mbrojtje dhe ndihmë ligjore sikur që duhet të mbulojë të gjitha shpenzimet për familjet e të arrestuarve dhe të ndihmojë në organizimin e vizitave. Nëse krijohen kushtet dhe sigurohet leja për qasje, KMDLNj –ë shprehë gatishmëri dhe vullnet t’i vizitojë shtetasit e Kosovës që janë në burgjet e Serbisë.

Për shkak që nuk monitorohen të drejtat e të burgosurve, shtetas të Kosovë që janë në burgjet serbe është e pamundur të thuhet nëse ato të drejta respektohen në përputhje me standardet evropiane dhe Rregullave Evropiane të Burgjeve.

Ministria e Drejtësisë duhet të sqarojë opinionin se në ç’farë baze ligjore është mbështetur kur është bërë kjo kërkesë në të kundërtën mund të mendohet se është bërë për konsum të brendshëm politik e që nuk iu ndihmon aspak, as të burgosurve e as familjeve të tyre përveçse ngjallë rritë pritjet dhe shpresat e familjeve, pa asnjë bazë dhe mundësi!

Të ngjashme