Pasi Gjykata Themelore në Prizren e dënoi me 22 vjet burg të akuzuarin për krime lufte, D.T. filluan, nga ndërkombëtarët presionet, në formë të kërkesës që në të ardhmen trupi gjykyes që trajton rastet ku të akuzuar janë serbë, për krime lufte apo raste të ndjeshme, ky trup duhet të ketë shumicen e gjykatësve të përkatësisë etnike serbe. Me fjalë të tjera, nga trupi gjykues prej 3 anëtarëve, dy domosdoshmërisht duhet të jenë serbë e që paraqet nonsense për faktin se përgjegjësia penale dhe vendimi përfundimtar nuk do të mbështetej në prova por sipas parimit etnik e që, në fund të fundit do të shkojë në dëm të viktimave dhe nuk do të ketë përmbushje të drejtësisë.
Përfillja e parimit etnik në vend të provave e vë drejtësinë në vartësi dhe ndikim të drejtpërdrejtë të politikës e që e dhunon në mënyrë flagrante pavarësinë dhe paanësinë e gjyqësorit. KMDLNj e kundërshton këtë kërkesë për fragmentarizim të gjyqësorit në baza etnike duke kërkuar që provat dhe profesionalizmi të jenë përcaktuese për vendimin dënues apo lirues e jo çelësi etnik. Viktimat janë viktima dhe si të tilla duhet të trajtohen pavarësisht përkatësisë etnike, fetare, moshore , gjinore, bindjeve politike apo statusit në shoqëri. Po të njëjtat kritere duhet të zbatohen edhe ndaj atyre që planifikuan , nuk e penguan apo e bënë krimin.
KMDLNj kërkon që të akuzuarit për krime lufte , pavarësisht veprës për të cilën akuzohen, duhet të kenë një proces gjyqësor fer, të drejtë dhe të paanshëm, njē mbrojtje efektive, tē mos linçohen botërisht dhe të mos bëhen presione ndaj trupit gjykues duke kërkuar dënim të lartë apo duke komentuar vendimet e trupit gjykues. Duhet ta pranojmë faktin se vetëm gjykata, me një vendim të formës së prerë është kompetente të përcaktojë shkallën e pêrgjegjësisë penale e jo kjo të bëhet përmes protestave apo linçimeve publike të prokurorëve apo gjykatësve. Nuk është fshehtësi se pikërisht për shkak të këtyre presioneve, trupi gjykues ka marrë vendime në dëm të palës së akuzuar apo të dënuar e që për një gjyqësor të pavarur apo që po bënë përpjekje të bëhet i pavarur, është e papranueshme.
KMDLNj ka monitoruar shprehjen e pakënaqësisë të shumë qytetarëve dhe familjarëve të personave të vrarë dhe të zhdukur nga Krusha e Vogël dhe e Madhe pas shqiptimit të dënimit ndaj D.T. nga Krusha e Vogël, i dënuar me 22 vjet për krime lufte, e vlerëson punën e Prokurorisë së Shtetit dhe Gjykatës Themelore në Prizren si hap të madh për të siguruar drejtësi për viktimat dhe përgjegjësi për ata që bënë krime mirëpo nuk pajtohet me sulmin që i është bërë autoveturës së Shërbimit Korrektues të Kosovës dhe oficerëve korrektues që e bënin punën e përcaktuar me ligj dhe që kanë përgjegjësi për sigurinë dhe jetën e të dënuarit. Me këtë rast 6 protestues kanë kërkuar ndihmë mjekësore dhe nuk ka pasur të ndaluar apo të arrestuar. Është një fakt interesant se shumica e të akuzuarve serbë për krime lufte në Kosovë janë liruar dhe për këtë nuk ka pasur protesta sikur që shumica e të akuzuarve shqiptarë janë dënuar dhe gjithashtu nuk ka pasur protesta. KMDLNj kërkon nga të gjithë që të respektohen vendimet e gjykatave dhe të mos paragjykohet fajësia apo pafajësia pa një vendim të formës së prerë të gjykatës kompetente.
KMDLNj e kundërshton fuqishëm caktimin e trupit gjykues sipas parimit etnik dhe gjykime në baza etnike për faktin se kjo ndarje do të ishte fundi i drejtësisë për viktimat e që, pa asnjë dyshim gjykimet për krime lufte do të përfundonin në një rrugë qorre. KMDLNj ngre dyshime se kjo kërkesë për ndarje sistemit të drejtësisë në baza etnike mund të jetë pjesë e ndonjë marrëveshjeje politike për të falur të dyshuarit për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit e që, nga aspekti i të drejtave të njeriut është e papranueshme. Nëse nuk sqarohet e kaluara dhe nuk sigurohet drejtësia për të gjitha viktimat si dhe përgjegjësia për ata që kanë bërë krime, pa bërë asnjë dallim, asnjë marrëveshje nuk do të mund të zbatohet dhe çdo paqe do të jetë e paqendrueshme. 24 qershor 2020 Prishtinë