KMDLNJ: Të trajtohen me seriozitet kërkesat e drejta të të burgosurve në Burgun e Dubravës

Prishtinë | 24 Nën 2017 | 15:39 | Nga

Disa muaj më parë , të burgosurit e Burgut të Dubravës që janë të punësuar dhe gëzojnë beneficione që i kanë fituar me sjellje të mirë dhe punë, në kundërshtim të drejtave që u mohohen me plotësim ndryshimin  e Ligjit mbi Ekzekutimin e Sanksioneve Penale, e ndërprenë punën duke shpallur grevë e cila ishte e kufizuar vetëm me refuzimin e punës. Të dënuarit i deklaruan KMDLNj –së se u janë pakësuar të drejtat që i kishin më parë sikur pushimi vjetor në shtëpi (më parë ishte pushim 21 ditë kurse tani parashihen 7 ditë), si dhe moslejimi i pakove ushqimore. Të burgosurit e Burgut të Dubravës, gjatë vizitës së KMDLNj –së i kishin tri kërkesa themelore:

Që t’u kthehen beneficionet e mëparshme të fituara me punë dhe sjellje të mirë e që në të njejtën kohë do të ishte inkurajim për të burgosurit e tjerë të sillen mirë dhe ta pranojnë programin e risocializimit.

Kërkuan që çdo të burgosuri që punon dhe sillet mirë t’i falen tre (3) muaj për çdo vit të mbajtjes së dënimit, si lirim i mëhershëm.Kanë kërkuar që Lirimi me Kusht të jetë funksional dhe që përfitues të këtij lirimi pasi t’i kenë vuajtur 2/3 e dënimit të jenë më shumë të dënuar.

Në ndërkohë patëm rënien e qeverisë dhe kërkesa e të dënuarve nuk u trajtua deri në formimin e qeverisë së re, ndërse u gjend një zgjidhje e përkohshme për pakot ushqimore. Me formimin e qeverisë Haradinaj kërkesa e drejtë e të dënuarve të burgut të Dubravës (dhe burgjeve të tjera) ende nuk është trajtuar prandaj të dënuarit e rifilluan grevën duke i ripërsëritur kërkesat  (të drejta sipas KMDLNj –së) dhe tani mbi 140 të burgosur janë në grevë pune. Greva e të dënuarve në Dubravë i nxjerrë shumë probleme Shërbimit Korrektues të Kosovës i cili nuk mban përgjegjësi për gjendjen e krijuar sepse e paralizon punën në kuzhinën e burgut, në mirëmbajtjen e pastërtisë  dhe shërbimeve tjera që i kryejnë të dënuarit që punojnë e tash janë në grevë pune. Të burgosurit e tjerë solidarizohen me të burgosurit që janë në grevë duke i shkaktuar probleme shtesë Shërbimit Korrektues të Kosovës.

Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave e të Lirive të Njeriut i përkrah kërkesat e drejtat të të dënuarve në Burgun e Dubravës dhe kërkon që përmes amandamentimit të Ligjit kundërshtues të krijohet një hapësirë që do të ishte e pranueshme për të burgosurit dhe të drejtat e tyre sikur që edhe Shërbimi Korrektues i Kosovës të ketë përgjegjësi dhe mundësi shtesë për trajtimin e personave që meritojnë të jenë përfitues të beneficioneve.

Në kohën kur në tërë botën të forcohet dhe avancohet humanizmi ndaj personave të privuar nga liria, ky Ligj është prapa-kthim në njohjen, promovimin dhe përparimin e të drejtave të personave të privuar nga liria. Kufizimi i lirisë nuk nënkupton mohimin e të drejtave që iu takon me ligj.

KMDLNj përkujton përgjegjësit që i bënë ndryshimet në LESP, se edhe në kohën e ish Jugosllavisë të burgosurit kanë pasur të drejtë në pako ushqimore dhe higjienike kurse gjatë festave fetare dhe shtetërore kanë pasur të drejtë për pako shtesë.

Ata që kanë plotësuar kushtet, kanë shfrytëzuar pushimin vjetor në shtëpi, jo më pak se 18 ditë pune. Të burgosurit që punojnë në institucionet e mbajtjes që menaxhohen nga SHKK, duhet t’i gëzojnë të drejtat e parapara me Ligjin e Punës, përjashtuar këtë lartësinë e kompensimit.

KMDLNj do t’i përkrah të drejtat e personave të privuar nga liria për aq sa kundërshtimet dhe kërkesat e të burgosurve të jenë të qeta. KMDLNj është kundër eskalimit të situatës dhe në çastin kur situata përshkallëzohet, KMDLNj nuk do t’i përkrah këto kërkesa.

KMDLNj përkrah punën e Shërbimit Korrektues të Kosovës duke kërkuar sjellje të përmbajtur dhe të përgjegjshme ndaj personave të privuar nga liria. Personat e privuar nga liria duhet ta kenë të qartë që në momentin kur e kanë filluar grevën, të gjitha beneficionet u suspendohen, deri në zgjidhje të problemit.

Për KMDLNj –në, zgjidhje e duhur do të ishte angazhimi i Ministrisë së Drejtësisë dhe akterëve tjerë për gjetjen e mundësive të tejkalohet kjo situatë që, nëse zgjat më shumë e rrezikon shëndetin e personave të privuar nga liria, stafit korrektues dhe personelit tjetër sikur që e rrezikon funksionalitetin e Shërbimit Korrektues të Kosovës.

KMDLNj dëshiron dhe shpreson që ky angazhim të jetë konstruktiv dhe shpreh gatishmëri të kontribuojë konkretisht në këtë drejtim.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme