“KMDLNj ka bërë të ditur se pasi ta ketë në disponim materialin gjyqësor për rastin Sylejman Selimi, do të dalë me një raport i cili do t’i evidentojë shkeljet e mundshme pas së cilave, do të kërkojë përgjegjësi ndaj atyre që kanë bërë shkelje eventuale. Monitorues të KMDLNJ-së gjatë një vizite në Qendrën Korrektuese në Dubravë, ku u takuan me të dënuar dhe të paraburgosur që kishin kërkuar të vizitohen nga ky Këshill. Ata me këtë rast u takuan me Sylejman Selimin me të cilin biseduan për gjendjen e tij shëndetësore dhe zhvillimet e fundit për çka ai është deklaruar publikisht duke pohuar se ndaj tij po bëhen shkelje flagrante të drejtave të personave të privuar nga liria e që hyjnë në kompetencat e KMDLNj-së”, thuhet në njoftim të KMDLNj-së.
Siç thuhet në njoftimin e KMDLNj-së, gjendja shëndetësore e Selimit nuk është e mirë. Ai mbahet nën kontroll me terapi të përditshme për shkak të dhembjeve të mëdha të kokës nga migrena sikur edhe për shkak të problemeve reumatike. KMDLNj e ka quajtur “arsenal” barnash ato që përdor Selimi. Edhe pse në këtë gjendje shëndetësore, Selimi ka thënë se nuk kërkon trajtim të veçantë shëndetësorë dhe se ka parasysh mundësitë që ofrohen në QKD për trajtim shëndetësor.
Ai po ashtu i ka deklaruar KMDLNj-së se është refuzuar kërkesa e tij për lirim të parakohshëm nga Paneli për Lirim me Kusht ndonëse i ka plotësuar kushtet e parapara, pasi ka vuajtur 2/3 të dënimit, nuk ka asnjë vërejtje nga stafi dhe ka gjendjen shëndetësore të përkeqësuar.
Selimi ka thënë se po mbahet kundërligjshëm për më shumë se pesë muaj, duke shfaqur pakënaqësi pse Gjykata Supreme nuk e zbaton vendimin e Gjykatës Kushtetuese që ka gjetur shkelje të procedurës dhe ka kërkuar rishqyrtim të lëndës.
“Për këtë arsye, Selimi ka theksuar se mbahet kundërligjshëm më shumë se pesë muaj, pa vendim të gjykatës dhe se përmes shkeljes së ligjit atij i shkelen të drejtat elementare të njeriut. Për ta vërtetuar këtë thotë se në bazë të vendimit të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës janë shkarkuar apo dorëhequr dy presidentë të Kosovës me një procedurë shumë të përshpejtuar. Selimi thotë se nëse gjykata merr vendim për hetime, atij duhet t’i ndërrohet statusi, nga i dënuar në të paraburgosur dhe jo të mbahet në vuajtje të dënimit, pa vendim të gjykatës, pas një procesi të montuar politik”, thuhet me tej në njoftim.
Po ashtu në njoftimi e KMDLNj , thuhet se pasi ta ketë në disponim materialin gjyqësor për rastin Sylejman Selimi, do të dalë me një raport i cili do t’i evidentojë shkeljet e mundshme pas së cilave, do të kërkojë përgjegjësi ndaj atyre që kanë bërë shkelje nëse ato dëshmohen. Për më tepër, KMDLNj ka kërkuar prani më të madhe të mekanizmave vendorë monitorues për Panelin për Lirim me Kusht sikur edhe rishqyrtimin e të gjitha proceseve gjyqësore që janë udhëhequr nga ndërkombëtarët e të cilat janë denoncuar pikërisht nga gjyqtarët dhe prokurorët ndërkombëtarë si të kurdisura dhe të porositura nga politika.
“KMDLNj ripërsërit dënimin e gjuhës raciste dhe fashiste që i kanë përdorur ndërkombëtarët e që janë dëshmuar në proceset e kurdisura kundër shqiptarëve”.