Drejtuesit e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Aleancës Kosova e Re (AKR), Alternativës dhe Lëvizjes për Drejtësi, në tubimin qendror që u mbajt të enjten në Prishtinë, kanë prezantuar projektin për fitore, sikur u shprehën ata, në zgjedhjet e 11 qershorit.
Koalicioni ka prezantuar edhe listën prej 110 kandidatëve, të profileve të ndryshme, të cilët do të marrin besimin e zgjedhësve më 11 qershor.
Kryetari i LDK-së dhe kryeministri Isa Mustafa, ka thënë se ata që u munduan të na thyenin e kanë thyer vetveten.
“Nga frika se do t’i mundnim, u dorëzuan. Ai që s’po i pritej ta kapte edhe pozitën e shefit të qeverisë, ia dorëzoi stafetën atij që tërë kohën thoshte se PDK-ja duhet të shkonte në opozitë. E çfarë po bën tash? Po mundohet t’i ndihmojë që të vazhdojë kapjen dhe zhvatjen e shtetit”, ka thënë Mustafa.
Mustafa ka thënë se e vetmja zgjidhje për Kosovën është që PDK të shkojë në opozitë. “Jo për rivalitet politik, por sepse jemi bindur se PDK në opozitë është e vetmja mënyrë për ta çkapur shtetin. Ne e kemi ditur edhe 3 vjet përpara se PDK në opozitë është zgjidhja e vetme për Kosovën, pa krim të organizuar, pa korrupsion, pa kontrabandë, pa haraç, për t’ia hapur rrugën sundimit të rendit dhe ligjit, krijimit të kushteve për investimet e brenshme dhe të jashtme, për zhvillimin ekonomik të Kosovës, për punësimin e të rinjve, për reforma në arsim, në shëndetësi, për përmbushjen e kritereve për liberalizimin e vizave dhe për forcimin e partneritetit me aleatët tanë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimin Evropian”.
Mustafa e ka falënderuar në mënyrë të veçantë Presidentin e AKR-së, Behgjet Pacolli, që nuk u zmbraps nga shantazhet dhe kërcënimet, por, me vendosmëri u bë pjesë e koalicionit të fitores.
“Mimoza, Iliri dhe ekipi i shkëlqyer i Alternativës në këtë koalicion, janë argument se ne jemi alternativa që i duhet Kosovës. Sylejman Çerkezi dhe Lëvizja për Drejtësi përkrah nesh është dëshmia se ne kemi ruajtur vlerat e traditës sonë. Besojmë në Zot, e ruajmë fenë dhe e kultivojmë tolerancën dhe mbi të gjitha e duam atdheun tonë”, ka thënë Mustafa.
Kreu u LDK-së ika thënë se më 11 qershor, qytetarët e Kosovës kanë testin e madh përpara vetes, të zgjedhin mes të kaluarës dhe të ardhmes.
“E ardhmja është koalicioni ynë. Alternativa jonë qeverisëse. Me duar të pastra dhe në shërbim të Kosovës. Alternativa që i siguron Kosovës thellimin e partneritetit me aleatët tanë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimin Evropian. Që e garanton transformimin e suksesshëm të Forcës së Sigurisë së Kosovës në Ushtri, në koordinim të plotë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe NATO-n”, ka thënë Mustafa.
Presidenti i Partive Popullore Evropiane (PPE), Joseph Daul, ka thënë se trashëgimia politike e LDK-së nga Presidenti Rugova është vlerë për Kosovën.
Ai iu ka bërë thirrje qytetarëve të Kosovës që mos t’i votojnë ata që ju çojnë në qorrsokak, por votoni Lidhjen Demokratike të Kosovës dhe kandidatin e saj Avdullah Hoti, i cili e çon Kosovën në Evropë.
“Brenda dy javësh do të merren vendime të mëdha për Kosovën. Unë i porositi votuesit që të mos zgjedhin që ta çojnë Kosovën në një qorrsokak, por të votojnë LDK-në për një të ardhme evropiane”, ka thënë Daul.
Presidenti i PPE, grupit më të madh parlamentar në Parlamentin Evropian, ka thënë se më 11 qershor Kosova do të marrë një vendim shumë të rëndësishëm, do të shkojë drejt një qorrsokaku dhe konflikteve të brendshme, ose do të vendosë t’i zgjedhë deputetët e LDK-së, që do ta çojnë Kosovën në një të ardhme evropiane.
Ai ka vlerësuar lartë kandidaturën e Avdullah Hotit për kryeministër duke thënë se ai është një frymë e re për të cilën Kosova ka nevojë.
“Unë kam pasur kënaqësinë ta takoj z.Hoti dhe besoj që keni bërë një zgjidhje të duhur për ta çuar Kosovën në një të ardhme të mirë. Është i ri dhe kompetent, është një frymë e re dhe është njeri për të cilin Kosova ka nevojë”, ka thënë Daul.
Mustafa: PDK në opozitë e vetmja mënyrë për t’i siguruar frymëmarrje këtij shteti
LDK-AKR-Alternativa ka hapur fushatën zgjedhore në Prishtinë. Kryetari i LDK-së, kryeministri në detyrë, Isa Mustafa, që ka thënë se të tjerët u munduan që t’i thyejnë. Ai ka shtuar se koalicioni tjetër do të mundohet, por nuk ka shansin që të dalë fitues.
“Nuk e them për rivalitet politikë por jam i bindur që PDK në opozitë është e vetmja mënyrë për t’i siguruar frymëmarrje këtij shteti. Jam i bindur që ata që poshtëruan para syve të botës parlamentin e Kosovës me gaz lotsjellës, ata që sulmuan institucionet e shtetit do ta paguajnë çmimin e sjelljes së tyre dhe jo ta marrin votën e qytetarëve të Republikës së Kosovës”, ka thënë Mustafa.
Bashkimin e PDK-së, AAK-së, Nismës dhe të tjerëve ai e ka quajtur koalicion të interesit.
“Ata shahen ditën e përqafohen natën”, tha Mustafa.
Hoti: Koalicioni ynë është i natyrshëm, ai tjetri i interesave
Kandidati për kryeministër nga LDK-AKR-Alternativa, Avdullah Hoti, ka thënë se është krenar që i prin Brezit të Republikës, siç e quante rininë Presidenti Rugova, drejt fitores së sigurt në zgjedhjet e 11 qershorit.
“Unë jam krenar për besimin që më është dhënë për t’i prirë një ekipi atdhetar, kompetent dhe përfaqësues, për t’i prirë Brezit të Republikës. Këto zgjedhje janë referendum për të ardhmen e Kosovës. Unë, dhe i gjithë Brezi i Republikës, e çmojmë shansin për të çuar përpara misionin e ndërtimit të shtetit të Kosovës. Ky koalicion do të punojë shumë: me unitetin tonë të plotë, me duar të pastra për t’i bindur qytetarët se përfaqësojmë alternativën më të mirë”, ka thënë Hoti.
Ai ka shtuar se ka zgjidhje për të gjitha problemet e mëdha me të cilat ballafaqohet Kosova.
“Ky koalicion është alternativa e vetme që garanton zhvillimin ekonomik të Kosovës, mundësi për secilin qytetar dhe kujdes social për shtresat në nevojë. Garanton reformimin e sistemit arsimor dhe shëndetësor. Është më e qartë se kurrë më parë se, ne jemi të vetmit që mund të përmbushim kriteret për ta bërë vendin tonë anëtar të Bashkimit Evropian dhe të NATO-s, siç thoshte gjithmonë Presidenti Rugova, për ta bërë të përjetshme dhe speciale miqësinë e Kosovës me Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, ka thënë Hoti.
Ai ka shtuar se koalicioni i fitores që kemi ndërtuar ne, jo vetëm që i ka frikësuar, por siç po dëshmohet përditë, i ka çoroditur oponentët tanë politikë.
“Jam i sigurt se më 11 qershor, qytetarët e Kosovës do të përcaktohen për ne, sepse të gjithë kandidatët për deputetë janë të shkolluar mirë, janë kompetentë dhe më e rëndësishmja, janë me duar të pastra. Kandidatët tanë janë të dëshmuar për shërbim ndaj qytetarëve, në kohë okupimi, janë të dëshmuar për rezistencë gjatë luftës dhe të gatshëm për t’i dalë zot atdheut”, ka thënë Hoti.
Ai ka thënë se kemi plane konkrete për arsim dhe shëndetësi, investime strategjike, aktivizimin e minierave, ndërtimin e termocentralit të ri etj.
Kusari-Lila Vetëvendosjes: Mos votoni me zemër, por votoni me kokë
Themeluesja e Lëvizjes ‘Alternativa’, Mimoza Kusari Lila u ka bërë thirrje simpatizantëve të koalicionit LDK-AKR-Alternativa, që me datë 11 Qershor ta votojnë koalicionin në të cilin bënë pjesë partia e saj.
Kusari Lila e ka thumbuar Lëvizjen Vetëvendosje, lidhur me sloganin që kjo e fundit e mbanë duke thënë se qytetarët më 11 qershor duhet të votojnë me me kokë e jo me zemër.
“Më 11 qershor mos votoni me zemër, por votoni me kokë”, ka thënë ajo.
Pacolli: Njohjet e Kosovës do t’i rrisim në 160
Presidenti i AKR-së, Behgjet Pacolli ka thënë se kur ata të vijnë në qeverisje, bashkë me partnerët LDK dhe alternativën, vendit do t’i rrisin njohjet ndërkombëtare deri në 160.
“Njohjet do t’i rrisim deri në 160 në mandatin tonë”, ka thënë Pacolli në hapjen e fushatës në Prishtinë të koalicionit LDK-AKr-Alternativa.
Ai ka akuzuar ministrin Enver Hoxhaj se nuk i ka sjell asnjë njohje vendit.
“Ministri i tanishëm nuk ka sjell asnjë njohje. Dy njohje që kanë ardhur në mandatin e kaluar janë kontribut i imi”, ka shtuar ai.