Instituti Demokraci për Zhvillim (D4D) ka organizuar ceremoninë e nënshkrimit të Deklaratës së Mirësjelljes së partive politike, shoqërisë civile dhe medieve në rrjete sociale, duke filluar nga zgjedhjet lokale, raporton Ekonomia Online.
Kështu, Instituti D4D me qëllim të përmirësimit të diskursit publik, ku janë përfshirë partitë politike, shoqëria civile, mediet dhe Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, synon të krijojë një kod të mirësjelljes në rrjete sociale.
Rrezarta Delibarzade-Krasniqi, drejtoreshë e D4D, tha se e gjithë fushata zgjedhore do të përcillet nga dhjetë monitorues, duke përcjell edhe profilet e subjekteve politike.
“Duke u bazuar që fushata po zhvillohet edhe në rrjetet sociale, kjo tregon se akterët kanë treguar gatishmërinë që të kemi një fushatë ta drejtë zgjedhore. Ky aktivitet është fillimi i bashkëpunimit të gjatë dhe e gjithë fushata zgjedhore do të përcillet nga dhjetë monitorues, duke përcjell edhe profilet e subjekteve politike”.
Mark Baskin, drejtor i “Center Humanitarion Dialogue”, tha se deklarata e nënshkruar e vendos Kosovën në një pozitë udhëheqëse.
“Media sociale po luan një rol të jashtëzakonshme. Ajo çka do të ishte interesante për neve që mediet sociale kanë qenë formë dominuese e komunikimit në Kosovë, dhe ka më shumë se 1 milion shfrytëzues, kjo është rritje”.
“Kjo deklaratë që e nënshkruani sot e vendos Kosovën në një pozitë udhëheqëse dhe ideja është për të krijuar balancimin e ideve për një qëllim të mirë”.
Allen Meta, nga D4D, tha se kanë pasur mbështetje e të gjithëve për nënshkrimin e kësaj deklarate, raporton EO.
“Bashkërisht me partitë politike, shoqërinë civile kemi punuar në hartimin e një deklarate që do të marrë zotimin nga të gjithë akterët”.
Instituti D4D do të krijojë një mekanizëm i cili do të monitorojë të gjithë mbi përmbajtjen e zotimeve dhe do të përpilojë një raport përfundimtar me të gjeturat.