Koha për vlerësimin e punës së Gjykatës Speciale

Prishtinë | 18 Kor 2026 | 09:50 | Nga Ardian Bajraktari

Qasja gjithnjë e më kritike e Shteteve të Bashkuara të Amerikës ndaj Gjykatës Penale Ndërkombëtare nuk duhet parë apo kuptuar thjesht si një qëndrim politik. Kjo qasje reflekton një pakënaqësi në rritje ndaj mënyrës se si është zhvilluar dhe administruar drejtësia penale ndërkombëtare.

Për vite me radhë, këta mekanizma janë kritikuar për procedura të stërzgjatura, standarde të paqëndrueshme, mungesë efikasiteti dhe llogaridhënie, si dhe perceptimin e publikut për zbatim selektiv të drejtësisë.

Kur drejtësia vonohet, zbatohet në mënyrë të pabarabartë ose perceptohet si selektive, ajo e humb elementin e saj më të rëndësishëm, besimin e publikut.

Një varg kritikash dhe shqetësimesh, të evidentuara tashmë edhe nga ekspertë të pavarur ndërkombëtar, e kanë shoqëruar vazhdimisht Gjykatën Speciale gjatë ushtrimit të mandatit të saj.

Kohëzgjatja e procedurave, paraburgimet tepër të gjata pa një vendim përfundimtar, interpretimet shpesh kontradiktore të rregullave të procedurës dhe provave, pranimi i provave të siguruara nga një shtet që ka kryer krime gjenocidale, si dhe perceptimi për zbatim të standardeve të dyfishta, kanë ngritur pikëpyetje dhe shqetësime serioze mbi mënyrën se si kjo gjykatë e ka ushtruar mandatin e saj dhe nëse ka funksionuar sipas parimeve themelore të drejtësisë.

Asnjë gjykatë nuk e fiton autoritet vetëm sepse është krijuar me ligj. Autoriteti dhe besimi në drejtësi ndërtohet përmes administrimit të drejtë, të paanshëm, të barabartë dhe transparent të drejtësisë.

Pikërisht në këtë aspekt, janë përqendruar shumica e kritikave dhe shqetësimeve të argumentuara ndaj Gjykatës Speciale dhe veprimtarisë së saj.

Në këtë kontekst, zhvillimet rreth Gjykatës Penale Ndërkombëtare mund të shënojnë fillimin e një faze më kritike të rivlerësimit të mekanizmave të drejtësisë penale ndërkombëtare.

Madje, një qasje e tillë, veçanërisht nga administrata amerikane, do të ishte e mirëseardhur edhe ndaj Gjykatës Speciale, duke pasur parasysh mënyrën e themelimit të saj, si dhe devijimin e vazhdueshëm nga mandati dhe qëllimi për të cilin u krijua.

Nëse kjo qasje vazhdon, bëhet krejtësisht e arsyeshme dhe legjitime që edhe Gjykata Speciale t’i nënshtrohet një rivlerësimi serioz politik, institucional dhe juridik, pavarësisht faktit se, formalisht, është pjesë e sistemit të drejtësisë të Kosovës, Një proces i tillë jo vetëm që është bërë i nevojshëm dhe i domosdoshëm, madje edhe i vonuar.

Kjo nuk nënkupton kundërshtim të drejtësisë si parim. Përkundrazi, do të thotë se edhe drejtësia dhe mekanizmat që e administrojnë atë duhet t’u nënshtrohet standardeve të llogaridhënies, transparencës dhe respektimit të të drejtave dhe lirive themelore të njeriut. Asnjë institucion nuk mund të jetë mbi kritikën e argumentuar dhe as mbi detyrimin për të dhënë llogari.

Besimi nuk fitohet me mandat, por me drejtësi. Kur krijohet bindja, e mbështetur në argumente, se drejtësia nuk zbatohet njësoj për të gjithë, kritika e bazuar ndaj saj nuk përbën sulm ndaj drejtësisë. Përkundrazi, ajo është mbrojtje e drejtësisë, e besueshmërisë së saj dhe e parimeve mbi të cilat duhet të mbështetet dhe të funksionon drejtësia.

Të ngjashme