KOK-u e mbështet me 3 mijë euro operacionin e Nora Gjakovës, Kuka: Është sekret sportiv

Prishtinë | 22 Pri 2022 | 14:33 | Nga Ekonomia Online

Komiteti Olimpik i Kosovës, në mbledhjen e mbajtur sot, në njërën prej pikave të rendit të ditës ka vendosur që t’i ndajë 3 mijë euro për mbulimet e shpenzimeve për operimin e xhudistes Nora Gjakova.

Por, nuk dihet se për çfarë operimi të kampiones olimpike bëhet fjalë.

Klankosova.tv ka kontaktuar me trajnerin e saj Driton Kuka, por ai tha se nuk mund të jap detaje.

“Lëndimi i Norës nuk është për media. Është sekret sportiv”, është shprehur Kuka, njofton Klankosova.tv.

Në rend dite, KOK-u kishte edhe pika të tjera, të cilat mund t’i gjeni më poshtë:

–  Me ftesë të Bordit Ekzekutiv, i pranishëm në lidhje me pikën për vendimin e Këshillit të Arbitrazhit Sportiv (KAS) ndaj Federatës së Notit të Kosovës (FNK), ishte kryetari i FNK-së, Astrit Haliti, i cili diskutoi me Bordin për moszbatimin e deritashëm të vendimit të KAS-it. Bordi vendosi që t’i drejtohet me një letër FNK-së, për të kërkuar zbatimin sa më parë të këtij vendimi.

–  U diskutua për mundësitë e ndryshme të udhëtimit të ekipit tonë për në Lojërat Mesdhetare Oran 2022, të cilat prej 25 qershor deri më 6 korrik 2022 mbahen në Oran të Algjerisë.

–  Bordi u njoftua për fillimin e procedurave për hartimin e planit strategjik të KOK-ut për periudhën 2022 – 2025.

–  U vendos që komisionet përkatëse të nisin përgatitjet për Ditën dhe Javën Olimpike 2022, si dhe Ditën Ndërkombëtare të Sportit dhe Ambientit 2022.

–  U vendos që kampionja olimpike, xhudistja Nora Gjakova, të mbështetet me 3000 Euro për mbulimin e shpenzimeve të operimit.

–  U vendos që xhudistja Flaka Loxha të dërgohet për rekomandim për shpërblim në Ministrinë për Kulturë, Rini e Sport, pas suksesit në Kampionatin Evropian U-23.

Të ngjashme