Partneriteti me 250 universitete në Evropë e Amerikë, kurrikulat e harmonizuara me to, si dhe përkushtimi 15 vjeçar për ngritje të cilësisë, ka bërë që studentët e UBT-së të kenë mundësi të jenë pjesë e procesit të shkëmbimit dhe përfitues të bursave për studime në universitet e tilla. Këtë e ka thënë rektori i UBT-së, prof. dr. Edmond Hajrizi, në ceremonitë e ndara, për pritje të studentëve të rinj për vitin akademik 2006/2017, të fakulteteve MBE, Media dhe Komunikim, Juridik, Shkenca Politike si dhe Infermieri. Një ditë më parë, me ceremoni janë pritur edhe qindra studentë të fakulteteve të tjera, që funksionojnë në kuadër të UBT-së.
Duke vlerësuar cilësinë dhe punën Hajrizi theksoi se UBT është institucioni më i mirë i arsimit të lartë në Kosovë. “Ndërlidhet me sukseset e arritura të studentëve dhe stafit, projekteve të realizuara dhe rezultateve të arritura në tregun e punës”, ka vijuar ai për të shtuar se UBT është i përkushtuar që, për tregun e punës të krijojë liderë, diplomatë, juristë e gazetarë profesionistë, të cilët sipas tij, do të jenë “krenaria, potenciali dhe e ardhmja e UBT-së dhe Kosovës”.
Tutje, rektori Hajrizi tha se ky institucion ka rritur infrastrukturën, cilësinë e stafit, por edhe cilësinë e studentëve. “UBT ka arritur të tregojë dhe të dëshmojë që studentët tanë kanë karakter lidershipi, si dhe mundësi e kapacitet për të ndihmuar në zhvillimin e shoqërisë”, theksoi ai.
Menaxhment, Biznes dhe Ekonomi
Drejtori për Çështje Akademike i UBT-së, Armend Muja, tha se UBT është shkolla e parë dhe më e madhe e ekonomisë dhe biznesit në Kosovë. Ai tregoi që stafi i UBT-së është i angazhuar për të krijuar njerëz të suksesshëm, që e ndihmojnë shoqërinë. “Shoqëria pret që ju të jeni model shoqëror dhe sukses e vlerë e shtuar për këtë vend”, shtoi Muja, sipas të cilit UBT ka bërë bashkë njerëzit më profesionalë e të suksesshëm në tregun e punës.
Duke treguar për rrugëtimin e studentëve të UBT-së drejt suksesit në botën e biznesit, ligjëruesi i UBT-së në drejtimin MBE, Nehat Ramadani tha se gjenerata e tij ishte e detyruar që të shkollohej jashtë, kurse studentët e tashëm kanë mundësi të studiojnë në vendin e tyre, në UBT, që sipas tij është i barasvlershëm me universitetet kudo në Evropë e Amerikë.
“Ju keni zgjedhur më të mirin, por edhe pretendoni të jeni më të mirët, sepse diplomat tuaja do të bartin vulën e UBT-së”, përfundoi Ramadani.
Media e Komunikim
Profesori i Fakultetit Media dhe Komunikim, dr. Ferid Selimi, falënderoi studentët e rinj, për të cilët sipas tij, ka filluar një etapë e re dhe e paharruar e jetës.
“Ju që keni zgjedhur UBT-në, si më të mirin, me punën tonë dhe përkushtimin tuaj, do të bëheni më të mirët”, u tha Selimi studentëve. Ai përmendi faktin se drejtimi Media e Komunikim në UBT, po hapë një dritare të re dhe të veçantë të informimit në Kosovë, dhe kjo, sipas tij, po pasqyrohet tek suksesi i studentëve. “Rreth 40% e gazetarëve që po formohen në UBT, ende pa diplomuar janë sistemuar në vende të punës”, tregoi Selimi.
Shkenca Politike
Ligjëruesja e UBT-së në fakultetin e Shkencave Politike, Besa Zogaj potencoi se UBT ka treguar sukses, lidership dhe vullnet për punë, për 15 vjet radhazi dhe se këtë traditë do ta vazhdojë edhe më tutje, falë stafit profesional dhe studentëve të përkushtuar. “UBT është faktor i rëndësishëm i arsimimit dhe edukimit të brezave të rinj, dhe mbi të gjitha, i orientimit të tyre drejt suksesit”, tha Zogaj, teksa shtoi se stafi është i përkushtuar në krijimin e karrierës së suksesshme të studentëve.
Juridik
Koordinatori i Juridikut në UBT, Drin Grazhdani, duke folur në cilësinë e ish-studentit të UBT-së, tregoi për eksperiencën dhe mundësitë që ia ofroi UBT-ja, e që sipas tij, nuk do t’i kishte në asnjë institucion tjetër publik apo privat. “Falë stafit të përkushtuar dhe dëshirës sime për të arritur diçka në jetë, unë arrita të bëhem pjesë e një universiteti prestigjioz holandez për drejtësi”, teksa i inkurajoi studentët e rinj që, me punë, angazhim dhe përkushtim mund të arrihet gjithçka në jetë.
Për të treguar përvojat, mundësitë dhe përfitimet që i kanë pasur nga të studiuarit në UBT, treguan edhe ish-studentët dhe studentët aktual të UBT-së: Diandra Nela, Elife Maliqi, Antoneta Zhjeçi dhe Anisa Rada.
Infermieri
Dekani i fakultetit të Infermierisë, Fitim Alidemaj, ua ka sqaruar studentëve të drejtimit të ri të UBT-së, hapat e parë të rrugëtimit në këtë profesion. Sipas tij, katalizatori më i fuqishëm për t’u shërbyer të tjerëve është i mëshiruar në lidhjen e ngushtë ndërmjet fakultetit dhe studentëve të cilët duhen të udhëhiqen nga rregullat e qarta të një mjedisi akademik, transparent, informues dhe gjithëpërfshirës. Prof. Pranvera Ibrahimi, ndërkaq, theksoi se populli i Kosovës, i cili ka një moshë mesatare të re, përveç problemeve të tjera, problem të veçantë e ka sistemin shëndetësor.
“UBT, me kurrikulin e ri të Fakultetit të Infermierisë synon që të përmirësojë cilësinë e përkujdesjes shëndetësore të popullatës, përmes parandalimit të sëmundjeve dhe përkujdesjes me dinjitet”, përfundoi ajo.