Kolegji Universum lanson Institutin për Blockchain dhe Kriptovaluta

Prishtinë | 06 Mar 2018 | 18:48 | Nga Donika Osmani Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Kolegji Universum ka lansuar sot Institutin Blockchain, i cili synon të ofrojë edukim, hulumtime dhe krijimin e një komuniteti në fushën e “blockchain” dhe kriptovalutave, shumë të përfolura kohët e fundit.

Instituti do të drejtohet nga Ermal Sadiku me ndihmën e Valdrin Dervishajt, dhe do të ketë një bord këshillëdhënës, me emra si Prof. Bill Buchanan, një nga 100 njerëzit më me ndikim në këtë fushë; Dr. Shermin Voshmigir, themeluese e Blockchain Hub dhe Sally Evans, një nga ekspertët në fushën e Blockchain dhe teknologjive të reja fushe në Britani.

Ministri i Inovacionit dhe Ndërmarrësisë, Besim Beqaj, i cili mori pjesë në këtë ngjarje, tha se Qeveria mbetet e përkushtuar t’i ndjekë me interes trendet globale rreth kryptovaluatave dhe blockchain, pasi që në mungesë të rregullimit ligjor të parave virtuale, ato përbëjnë rrezik për humbje financiare të qytetarëve.

“Ky sistem mund të jetë formë e investimit anonim që ngritë shumë pikëpyetje, që po diskutohen në nivele botërore”, tha Beqaj, raporton Ekonomia Online.

“Misioni ynë është zhvillimi i teknologjisë informative që hyn në funksion të zhvillimit ekonomik”.

Sipas kreut të MIN, zhvillimi i teknologjisë duhet të bëhet në atë mënyrë që të sjellë përfitime për zhvillimin ekonomik të vendit.

Ai tha se puna në Ministrinë e Inovacionit dhe Ndërrmarrësisë është sfidë e madhe, pavarësisht detyrave të mëhershme institucionale pasi që sipas tij, kjo ministri e re ende nuk ka një bazë ligjore sikurse ministritë e tjera.

“Mision i ministrisë është zhvillimi i teknologjisë informative që hyn në funksion të ekonomisë. Jemi para një sfide të madhe që kërkon mendje të hapura… Dje morëm një lajm të mirë: selia e derotanishme e KFOR-it gjerman në Prizren, në një hapësirë prej 39 hektarësh, nga 1 janari 2019 do të jetë qendër për inovacion dhe ndërrmarrësi”.

Ermal Sadiku, drejtor Ekzekutiv i Institutit Blockchain, tha se instituti ka për qëllim krijimin e ideve të reja nga studentët e kolegjit Universum për krijimet inovative.

Ai tha se do të krijojë klubin e ashtuquajtur “KriptoClub”, në të cilën nxënësit do të kenë mundësi për t’i shprehur idetë e tyre, për të diskutuar për zhvillimet e fundit teknologjike.

“Për ‘blockchain’ dhe kriptovalutat nuk është duke u folur vetëm në Kosovë, por edhe në tërë botën. Kosova duhet me qenë pjesë e zhvillimit pozitiv të kriptovalutave. Me këtë institut kemi me mujt me u kap shumë shpejt në këtë teknologji. Blockchain është duke u zhvilluar shumë. Blockchain është ide fantastike në të cilën duhet investuar. Ky projekt ka për ide me i kanalizu, me bashkëpunu, me gjeneru ide të reja dhe ky institut brenda vetes me pas një klub me u quajt ‘Kriptoclub’, ku njerëzit do të bashkëpunojnë mes vete dhe kjo do të ndikojë në zhvillimin e Kosovës”, tha Sadiku.

Valdrin Dervishaj, drejtor administrativ dhe i hulumtimeve, pohoi se për vazhdimin e investimeve në kriptovaluta rreth 55,2% janë deklaruar se do vazhdojnë investimet, 26% do të varet nga lëvizja e tregut, dhe vetëm 1% deklarojnë se do tërhiqen nga tregu për arsye të ndryshme.

“Edhe pse tregu i shërbimeve ofron më së shumti eksport për dallim prej kriptos, jemi të fokusuar në tri hulumtime që karakterizojnë punën e institutit, do diskutojmë çështjen e njerëzve që merren me kriptovalutat, potencialin zhvillimor të blockchain, dhe në në fund kemi me trajtu një koncpet të ndryshimit të sistemit financiar si rrjedhojë e blockchain”, tha Dervishaj.





Të ngjashme