Kolegji Universum lidh partneritet me Arizona State University, pritet shtimi i numrit të studentëve me kampuse edhe në vendet e rajonit

Prishtinë | 30 Mar 2023 | 11:40 | Nga Enea Osmani Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Kolegji Universum po bëhet “powered by Arizona State University”, universiteti më i madh publik dhe me inovativ për tetë vite radhazi në SHBA (para MIT, Stanford dhe Harvard) dhe po transformohet në UNI – Universum International College, raporton Ekonomia Online.

Kolegji Universum pritet që me fuqinë akademike dhe menaxheriale ASU-së, të rrisë numrin e studentëve nga 4,300 studente UNI do të rritet në 19,000 studente, me kampuse edhe në Shqipëri dhe Maqedoni të Veriut, duke e transformuar kështu arsimin në trevat shqiptare.

Ky partneritet strategjik e transformon Universumin në një lider të klasit botëror në aspekt operacional dhe digjital, duke fuqizuar të gjithë studentët dhe stafin e UNI – Universum International College.

Nëpërmjet këtij bashkëpunimi, sistemi i arsimit të lartë në Kosovë do të transformohet si rezultat i programeve akademike të dizajnuara nga një universitet i renditur në top universitetet më të mira amerikane, qasje direkte në materialet mësimore të ASU’së, avancim dhe zhvillim i stafit akademik dhe aftësive të tyre kërkimore, mundësi për diploma të dyfishta, projekte të përbashkëta kërkimore dhe bashkëprodhim shkencor, mundësi programesh shkëmbimi ndërkombëtar për studentë dhe staf, një platformë me lëndë online që janë të certifikuara nga ASU dhe mbështetje nga profesorët e ASU-së.

Ky partneritet u vlerësua si pike kthyese për edukimin e lartë kosovar, jo vetëm nga presidenti i UNI-t, Alejtin Berisha, por edhe nga presidentja Vjosa Osmani e ambasadori i ShBA-së ne Kosovë, Jeffrey Hovenier.

Me këtë rast, Berisha ka thënë se ky partneritet bëhet edhe më i rëndësishëm më zhvillimin e hovshëm të inteligjencës artificiale.

Ai ka thënë se nxënësit kosovar, por edhe ata të rajonit, do të përfitojnë nga universiteti më inovativ në ShBA.

“Sot është një pikë historike ku po lannsojmë partneritetin me Arizona State University. Po jetojmë në një botë që po ndryshon shpejt. Inteligjenca artificiale po e revolucionon edukimin. Po në ketë kontekst, kolegji Universum do ta shfrytëzojë këtë partneritet. Për 8 vite më radhë, Arizona State College është zgjedhur universiteti më inovativ në ShBA. Edhe Universumi e ka pasur gjithmonë inovacionin si një komponent shumë të rëndësishëm, prandaj edhe kemi zgjedhur këtë universitet për të bashkëpunuar”, ka thënë Berisha.

“Studentët tanë do të përfitojnë nga resurset e ASU-së dhe ekspertiza e tyre. Ky partneritet nuk i servon vetëm Kosovës por gjithë rajonit. Do t’i trajnojmë edhe 150 mijë të rinj, nga shkollat e mesme dhe fakultetet, në gjuhën shqipe, falas”, u shpreh Berisha.

E përmes një videomesazhi, presidentja Vjosa Osmani, tha se marrëveshja me universitetin e Arizonës, do t’i thellojë raportet Kosova me ShBA-në.

Osmani tha se arsimi në vend operon lirshëm, teksa tha se Kosova këtë e ka bërë edhe në kohë të vështira.

“Arsimi përben një ndër shtyllat kryesore të shtetndërtimit. Arsimi ka qenë edhe arma më e mirë e jona edhe në kohët më të vështira. Sot institucionet tona si publike dhe private operojnë në një ambient demokratik. Kemi treguar se jemi të aftë që ta ndjekim hapin dhe trendin botëror. Për raportet tona me Shtete e Bashkuara të Amerikës dihet botërisht. Jam e bindur se me partneritetin me universitetin shtetëror të Arizonës do ta thellojë edhe më shumë këtë raport. Sot jetojmë në një kohë ku teknologjia po zhvillohet shumë shpejt, prandaj uroj qe ky partneritet të kontribuojë”, u shpreh Osmani.

Ambasadori i ShBA-së në Kosovë, Jefrey Hovenier, tha se rinia është aseti më i vlefshëm që e ka Kosova.

“Ky partneritet i dy universiteteve tregon për bashkëpunimin që ShBA ka me Kosovën dhe përkushtimin tonë qe kemi për edukimin dhe gjeneratat e ardhshme të Kosovës. Mund të them se aseti më i vlefshëm i Kosovës janë rinia e saj. Siç e dëgjuam, ASU është një ndër universitetet me te mira ne ShBA. Një institucion i mirë dhe një mësues i mirë e ka aftësinë qe ta ndryshojë jetën e një studenti”, u shpreh ai.

Të ngjashme