Një koleksion i veçantë armësh dhe objektesh historike po i shtohet hartës kulturore të Durrësit.
Nisma vjen nga Adrian Sinani, emigrant shqiptar që jeton mes SHBA dhe Shqipërisë. Në Shkozet ai ka ngritur një koleksion që vijon të pasurohet përmes kërkimit dhe pasionit për historinë.
Me profesion specialist muzeu, Sinani e ka konceptuar këtë si një hapësirë edukimi dhe promovimi të trashëgimisë historike. Një pjesë e objekteve janë siguruar edhe nga koleksionistë të tjerë. Koleksioni përfshin dëshmi nga periudha të ndryshme historike, nga Luftërat Botërore deri në rënien e regjimit komunist, me synimin për t’u bërë i aksesueshëm për publikun vendas dhe të huaj.
Vendosja e këtij muzeu jashtë qendrës historike të Durrësit, në Shkozet, një zonë me profil kryesisht industrial, shihet si një mundësi për të sjellë më shumë vizitorë dhe për të gjallëruar me turistë dhe këtë pjesë të qytetit.
Durrësi mbetet një nga destinacionet më të vizituara në vend, ndërsa kjo nismë pritet të zgjerojë më tej ofertën e tij turistike./Top Channel