Komandanti i KFOR-it: Situata në Veri s’mund të zgjidhet ushtarakisht, por politikisht

Prishtinë | 19 Qer 2023 | 21:21 | Nga Ekonomia Online

Situata në Veri të Kosovës, sipas komandantit të Misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR-it, Angelo Michele Ristuccia ndonëse duket paqësore, është e tensionuar.

Për të shtensionuar këtë situatë të përshkallëzuar, Ristuccia, mendon se Kosova dhe Serbia duhet të ulen në tavolinën e bisedimeve e të gjejnë një zgjidhje në dialog.

“Këtu nuk kemi të bëjmë me zgjidhje ushtarake, por vetëm politike”, ka potencuar ai në një konferencë për media raporton agjencia e lajmeve serbe Tanjug.

Sipas tij, Kosova dhe Serbia po përballen me një ofensivë të madhe diplomatike për të qetësuar situatën dhe për ta kthyer atë në normalitet.

I pyetur nëse mendon se KFOR-i duhet të marrë një rol më të madh në Veri të Kosovës, duke qenë se serbët nuk kanë besim në policinë e Kosovës, komandanti i KFOR-it tha “se mandati i misionit është që të sigurojë që të gjithë qytetarët e Kosovës të jetojnë në paqe”.

Ristuccia është pyetur se a është në dijeni për praninë e elementeve të huaj në këtë krizë, apo më saktë, nëse ka njohuri se Rusia po përpiqet ta shfrytëzojë situatën në favor të saj, për të cilën ka theksuar “se problemi në këtë fazë ka të bëjë më shumë me dinamikat e brendshme, dhe jo faktorë të jashtëm”.

“Kur ka kaos në fushë, ka nga ata që duan të përfitojnë nga një situatë e tillë, por ne jemi këtu për të shmangur një skenar të tillë”, ka potencuar ai.

Të ngjashme