Komandanti në veri: 58 serbë të dyshuar për shkelje të Kushtetutës së Kosovës, disa për krime të rënda

Prishtinë | 06 Maj 2022 | 18:17 | Nga Ekonomia Online

Ushtruesi i detyrës së komandantit të Stacionit Policor Verior, majori Goran Zhivkoviq, në seancën e sotme të Kuvendit Komunal të Mitrovicës Veriore ka konfirmuar se ekziston një listë e serbëve të dyshuar për krime të rënda dhe se ftesat janë duke u dorëzuar personave nga ajo listë.

“Listat nuk janë sekrete, listat ekzistojnë dhe në njërën listë janë 58 persona, të dyshuar për shkelje të rendit kushtetues të Kosovës, në listën tjetër janë 14 persona të akuzuar për tentativë vrasje, pengim të funksionarëve dhe dy-tri krime të tjera”, konfirmoi Zhivkoviq për mediat serbe, përcjell lajmi.net.

Ai shtoi se oficerët e policisë janë duke punuar në dhënien e thirrjeve për personat në ato lista.

“Policët janë duke punuar në dërgimin e thirrjeve për ata persona dhe deri më tani askush nuk është përgjigjur në këto thirrje. Lista përfshin njerëzit që jetojnë në komunat e Mitrovicës së Veriut, Zveçanit, Leposaviqit dhe Zubin Potokut.”

“Policët tanë shpërndajnë vetëm fletëthirrjet dhe ata që marrin thirrje duhet të paraqiten në Prishtinë për intervistim”, tha Zhivkoviq, duke shtuar se nuk ka informacione se në cilën periudhë janë kryer veprat për të cilat janë thirrur qytetarët konkretisht.

Të ngjashme