Koalicioni i OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve në Kosovë (KOMF), organizon konferencë të jashtëzakonshme për media për të shprehur shqetësimin lidhur me trajtimin e rasteve ku fëmijët janë viktima të formave të abuzimit dhe dhunës seksuale.
Në vazhdimësi, po shfaqen raste të që dëshmojnë dështimin e sistemit për të garantuar mbrojtje për fëmijët viktima të abuzimit.
“Si Koalicion jemi të shokuar për faktin që raste të tilla, siç është rasti tragjik i fëmijës K.V. nga Fushë Kosova, i cili përfundoi me vrasjen makabre të tij, nuk ka ndikuar aspak në reflektim, mobilizim e as ngritje të nivelit të përgjegjësisë së të gjithë sistemit të mbrojtjes së fëmijës, e sidomos të prokurorisë”, thekson KOMF.
Për më tepër, nuk ka llogaridhënie dhe përgjegjësi për trajtimin e këtyre rasteve nga organet e mbrojtjes, rendit dhe drejtësisë.
KOMF përmes një kërkese për veprim i është drejtuar Albulena Haxhiu – Ministre e Drejtësisë, Agim Veliu – Ministër i Punëve të Brendshme, Aleksandër Lumezi – Kryeprokuror i Shtetit, Bahri Hyseni – Kryesues i Këshillit Prokurorial, Burim Berisha – Kryetar i Komunës së Fushë Kosovës dhe Shpend Ahmeti – Kryetar i Komunës së Prishtinës, duke kërkuar veprime emergjente dhe llogaridhënie lidhur me këto raste.
Në konferencë, do të prezantohen kërkesat e KOMF ndaj institucioneve përgjegjëse për trajtimin e këtyre rasteve dhe do të kërkohen veprime dhe përgjegjësi për të gjitha palët e sistemit të mbrojtjes që dështuan të ushtrojnë obligimin ligjor të mbrojtjes së fëmijëve.