KOMF reagon për keqtrajtimin e 5-vjeçarit në Lipjan

Prishtinë | 18 Mar 2026 | 11:04 | Nga Ekonomia Online

Koalicioni i OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve – KOMF ka reaguar në lidhje me rastin e keqtrajtimit të 5-vjeçarit në Lipjan e ku thonë se kjo shfaq dështimin e institucioneve në mbrojtjen e fëmijëve, por theksohet edhe se ngrit shqetësime serioze për funksionimin dhe reagimin në kohë të mekanizmave institucional.

“Koalicioni i OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve – KOMF shpreh shqetësim të thellë lidhur me rastin e rëndë të fëmijës 5 vjeçar nga Komuna e Lipjanit, i cili është sjellë në QKUK në gjendje kritike shëndetësore dhe psikologjike, si pasojë e dyshimeve për neglizhencë dhe keqtrajtim ekstrem nga prindërit. Sipas të dhënave të institucioneve, kjo familje ishte rast i njohur për institucionet prej katër vitesh. Ky rast, edhe një herë, shfaq dështimin e institucioneve në mbrojtjen e fëmijëve dhe ngrit shqetësime serioze për funksionimin dhe reagimin në kohë të mekanizmave institucionalë për mbrojtjen e tyre. Shteti ka obligim ligjor të jetë mburoja e parë e fëmijës kur familja dështon. KOMF kërkon hetim të plotë institucional, duke përfshirë hetimin e gjithë zinxhirit të institucioneve të përfshira në rast dhe marrjen e masave ë përputhje me të gjeturat, duke siguruar llogaridhënie dhe përgjegjësi institucionale. Ky rast ri konfirmon nevojën urgjente për reforma rrënjësore dhe investime të menjëhershme në sistemin e mbrojtjes sociale. KOMF kërkon fuqizimin e kapaciteteve përmes rritjes së numrit të punonjësve socialë dhe profileve të tjera profesionale në Qendrat për Punë Sociale, në mënyrë që asnjë rast të mos mbetet pa trajtimin e duhur”, thuhet në reagim të KOMF.

KOMF ka bërë thirrje edhe qytetarëve që mos të rrinë indiferentë.

“Është jetike që institucionet të zhvillojnë programe të mirëfillta për fuqizimin e familjeve në krizë dhe të ofrojnë shërbime sociale e familjare që parandalojnë eskalimin e rasteve të tilla përpara se të jetë tepër vonë. KOMF u bën thirrje të gjithë qytetarëve që të mos qëndrojnë indiferentë. Mbrojtja e fëmijëve është përgjegjësi kolektive. Çdo dyshim për dhunë, neglizhencë apo keqtrajtim sipas legjislacionit në fuqi duhet të raportohet menjëherë tek Policia e Kosovës apo Qendra për Punë Sociale. Raportimi në kohë, mund të jetë kufiri i vetëm që ndan jetën nga vdekja për një fëmijë në rrezik”, thuhet në reagim.

Të ngjashme