Komisioni për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe Mbikëqyrjen e Agjencisë Kundër Korrupsionit ka mbajtur sot mbledhje, ku ka raportuar kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Nehat Idrizi. Ky i fundit si të arritur ka përmendur integrimin e veriut në kuadër të sistemit të drejtësisë së Kosovës, raporton Ekonomia Online.
Por sipas tij disa nga sfidat me të cilat përballen ata janë numri i madh i lëndëve, transparenca dhe plotësimi i pozitave. Sipas tij gjendje më e rënduar është në Gjykatën Themelore të Prishtinës dhe Gjykatën e Apelit.
“Këtë vit mbi 50 gjyqtarë do t’i nënshtrohe vlerësimit të performancës. Paneli për lirinë me kusht ka mbajtur 43 seanca. Sa i përket sfidave është numri i madh i lëndëve. Lendët me vite të tëra presin për tu zgjidhur. Gjendja më kritke është në Gjyktën Themelore të Prishtinës dhe Gjykatën e Apelit. Kemi 273 mijë lëndë. Jemi duke u angazhuar që me rekrutimin e 52 gjyqtarëve, keni hap konkurs edhe për 37 pozita. Sfidë do të jetë edhe transparenca. Ka pas një debat se a duhet të publikohen edhe vendimet e shkallës së parë që nuk jane të formës së prerë. Sfidë do të jetë edhe plotësimi i pozitave. Me rritjen e numrit të pozitave mendojmë të zvogëlojmë kohën e zgjidhjes së lëndëve”, tha Idrizi.
Kryetarja e komisionit, Albulena Haxhiu, tha se me procesin i dialogut lidhur me integrimin e gjyqtarëve serbë është bërë njohja e aktgjykimeve të strukturave paralele të Serbisë.
“Vërejtja ime është që të dërgoni një delegues që të përcjellë punën e komisionit. Është e rëndësisme të përfshihen në grupet e punës. Në dialogun me Serbinë është bërë njohja e aktgjykimeve të strukturave paralaele të Serbisë, kam dokumentin përpara, askush nuk është deklaruar nëse është e vërtetë”, tha Haxhiu.
Idrizi duke iu përgjigjur Haxhiut tha se procesi i rekrutimit është bërë në pajtueshmëri me legjislacionin e Kosovës.
“Çështja e dialogut të integrimit. Procesi i rekrutimit është bërë nga një komision. Ky proces është bërë në pajtim me legjislacionin e Kosovës. Për të kaluarën e tyre, a kanë pas ndonjë vepër kriminale, ka pasur mungesë të informacioneve. Janë integru 39 gjyqtarë, pjesa më e madhe në Mitrovicë. Në marrëveshje përfshihet të krijohet një divizion i apelit. Është e vërtetë që pas vrasjes së Ivanoviqit ka pasur frikë, por është mirë që nuk ka ndikuar në raportet e gjyqtarëve.
Anëtari i komisionit nga PDK-ja, Hajdar Beqa, tha se vërehet një zvogëlim i numrit të lëndeve.
“Nëse marrim punën e këshillit shihet se ka pas shumë aktiviteve. E shoh që është një avancim në raport me vitin 2016 krahasuar me vitin 2017. Kemi një zvogëlim të lëndëve por nuk është e mjaftueshme. Është për me u lavdëru integrimi i gjyqtarëve sipas marrëveshjes”, tha Beqa.
Anëtari i komisionit nga LDK-ja, Arben Gashi, tha se raporti i dërguar nga KGJK-ja nuk përmban statistika të bollshme. Sipas tij, statistikat bëjnë të mundur të identifikohen problemet.
“U mundova me pa në raportin që e keni dërgu por nuk mujta me gjet statistika. Sa është numri i stafit gjyqësor për 100 mijë banorë. Sa është numri i lëndëve të zgjidhura për çdo gjyqtarë. Numri i lëndëve të vonuara për gjyqtarë dhe të tjera”, tha Gashi.
Nehat Idrizi tha se sot nuk e kanë prezent përgjegjësin për statistika dhe se më vonë mund të ua dërgojnë një raport tjetër me më shumë statistika.