Komisioni dërgon në Kuvend Ligjin për BQK-në

Prishtinë | 02 Mar 2017 | 11:15 | Nga Jehona Zhuniqi Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Komisioni për Legjislacion Mandate dhe Imunitete ka aprovuar raportin me amandamente për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit për Bankën Qendrore të Kosovës, duke e proceduar në seancën e Kuvendit për ditën e sotme.

Komisioni po ashtu ka aprovuar edhe amandamentet në projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Ekzekutimin e Sanksioneve Penale, mirëpo pa propozimin e deputetit Nait Hasani i cili ka kërkuar që pas paragrafit dy të shtohet edhe  një paragraf tjetër  në të cilin thuhet që 24 orë të kaluar në ekzekutim të dënimit me burgim është e barasvlershme me një ditë e gjysmë apo gjegjësisht 36 orë të kaluara në liri.

Anëtari i Komisionit nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Armend Zemaj, i cili edhe ka punuar në këtë projektligj ka thënë se kanë ardhur në konkludim se disa çështje janë pjesë e mosimplementimit të plotë mbi të gjitha kanë dalë edhe rekomandime për Ministrinë e Drejtësisë që duhet t’i ndryshojë, raporton Ekonomia Online.

“Një sugjerim, i cili edhe ka qenë korrekt nga partnerët që e mbështesin punën e Kuvendit nga zyra e BE-së, për ndarjen e kritereve dhe ndarjen e burgosjes sipas kritereve që i përcaktojnë normat më të mira dhe një propozim që ka ardhur nga deputeti Nait Hasani i cili nuk e ka pasur përkrahjen për arsye ligjore sepse një ndërhyrje e tillë duhet të ndryshojë edhe disa ligje të tjera që janë në fuqi siç është një pjesë e Kodit Penal, Kodit të Procedurës Penale edhe ambicia jonë që ne të kemi ligj për amnisti apo edhe institucioni i faljes i cili kritikohet vazhdimisht si diçka, e cila nuk paraqet të priturat”, ka thënë ai.

Kurse, nënkryetarja e Komisionit, Selvije Halimi sa i përket propozimit të deputetit Nait Hasani ka deklaruar se dënimet të çfarë do natyre qofshin për kryerësit e veprave të dënueshme me ligj nuk kanë dhe nuk duhet të kenë qëllim persekutimi të njerëzve të cilët shkelin ligjin me apo një arsye tjetër.

“Shteti duhet të kujdeset si për ata që kryejnë vepra penale, si për shoqërinë në tërësi. Propozimi i Nait Hasanit është propozim të cilin e përmbajnë pothuajse të gjitha shtetet e BE-së, por me ndryshime. Do të thotë gjatë hulumtimeve e përmendi edhe deputeti Zemaj që nuk është ide që ka lindur sot por më herët, ka 1.1 deri në 1.7 të vlerësimit të dënimit për 24 orë”.

“Sot në seancë të kërkojmë nga Qeveria gjegjësisht nga Ministria e Drejtësisë që në një afat prej gjashtë deri në nëntë muaj krahas rishikimit të pakos ligjore për sistem të drejtësisë që është duke u bërë tash ta shqyrtojë me seriozitet edhe këtë mundësi të bëhet edhe plotësim ndryshimi i ligjeve të tjera të Kodit Penal, Kodit të Procedurës Penal dhe ligjeve tjera të cilat mund të ndikohen dhe të hyj edhe e kjo përllogaritje”, ka pohuar ajo.

 

Të ngjashme