Ndërmarrjet publike të cilat ofrojnë shërbime të ndryshme e që marrin tenderë po nga institucionet publike së shpejti nuk do të mundë të përfitojnë tenderë pa u futur fare në konkurrencë me sektorin privat. Kjo pasi që Komisioni Evropian është ankuar në Ligjin e Prokurimit të Kosovës, i cili u jep përparësi institucioneve publike që ofrojnë shërbime në tenderët publikë, shkruan sot Koha Ditore.
Kjo çështje sipas Ministrisë së Integrimit Evropian është në kundërshtim me MSA-në dhe duhet të ndryshojë në favor të tregut të lirë.
“Trajtimi i kësaj çështjeje vjen si rezultat i monitorimit të zbatimit të MSA-së nga ana e MIE-së, si dhe nga kërkesat e ardhura nga Komisioni Evropian në takimin zyrtar të mbajtur në Prishtinë, më 31.1.2018, në kuadër të Nën-komitetit për Tregun e brendshëm dhe Konkurrencën”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë së Integrimit Evropian.