Komisioni i UP-së ia ngre koeficientin sekretarit në kundërshtim me ligjin

Prishtinë | 02 Dhj 2019 | 08:14 | Nga Ekonomia Online

Komisioni për shqyrtim dhe propozim të gradimeve dhe koeficientit të pagave për nëpunësit civilë të Universitetit të Prishtinës ka propozuar që sekretari i përgjithshëm i UP-së të ketë koeficient më të lartë sesa e parasheh Ligji për paga.

Në një dokument me propozime të koeficienteve, që ky komision e ka hartuar më 30 tetor të këtij viti, të cilin e posedon gazeta, është paraparë që koeficienti i sekretarit të UP-së të jetë 5.80 apo përkthyer në pagë, 1.386 euro në muaj, shkruan sot “Koha Ditore”.

Ndërkaq, sipas Ligjit të pagave të miratuar këtë vit, koeficienti i sekretarit të UP-së është 5.4 që i bie pagë mujore 1.290 euro. Sipas propozimit të Komisionit të UP-së, i bie që sekretari i përgjithshëm i Universitetit të ketë pagën 96 euro më shumë, sesa e parasheh Ligji për paga.

Po ashtu, në dokumentin e Komisionit të UP-së njëra nga pozitat e propozuara është “bibliotekar i lartë” me koeficient 2.65 apo pagë mujore 633.35 euro. Një pozitë e tillë nuk parashihet në Ligjin për paga. E pozita “bibliotekar”, sipas komisionit, do të ketë koeficientin 2.35 apo pagën 561.65 euro në muaj. Në dokumentin e Komisionit të UP-së nuk është dhënë ndonjë sqarim se çka dallon pozita “bibliotekar i lartë” nga ajo “bibliotekar”.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme