Komisioni i Venecias ka mohuar t’i ketë dhënë rekomandim Gjykatës Kushtetuese që të ketë përsëritje të balotazhit për kryetar të Komunës së Prishtinës.
Kandidati i LDK-së, Arban Abrashi në muajin mars kishte bërë një ankesë në Gjykatën Kushtetuese duke pretenduar se ka pasur shkelje të procesit zgjedhor më 19 nëntor të vitit 2017.
Komisioni i Venecias ka thënë se për herë të fundit ka dhënë rekomandim që ka të bëjë me financimin e partive politike dhe zgjedhjet e përgjithshme.
“Komisioni i Venecias nuk jep opinione për çështje të caktuara. Ne japim opinione ligjore për ligje dhe draft ligje. Hera e fundit që kemi dhënë një rekomandim për Kosovën është në qershor dhe ka të bëj me financimin e partive politike dhe zgjedhjet e përgjithshme”, ka thënë Tatiana Mychelova, nga zyra për marrëdhënie me jashtë në Komisionin e Venecias për KTV.
Ndaj raportimeve se do të ketë përsëritje të balotazhit ka reaguar edhe zëdhënësi i Komunës së Prishtinës, Adonis Tahiri që e quajtur edhe presion të LDK-së ndaj Gjykatës Kushtetuese.
“LDK me “fake news”, po i bën presion Gjykatës Kushtetuese. Lajmi për mendimin e Komisionit të Venedikut për balotazhin në Prishtinë është i pavërtetë. Është spekulim mediatik, si presion ndaj Gjykatës Kushtetuese, i sponzorizuar nga LDK e cila po vazhdon të sheh ëndrra fushate. Kjo tashmë u konfirmua. Do të ishte mirë që LDK të këndellet, të sheh kah e ardhmja, sado plagë që mund t’i ketë lënë e kaluara dhe veçanërisht humbja e Prishtinës”, ka shkruar Tahiri.