Komisioni miraton Projektligjin për statusin e punëtorëve të arsimit, të viteve të 90-ta

Prishtinë | 27 Nën 2018 | 12:38 | Nga Norë Kelmendi Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Komisioni për Integrime Evropiane ka shqyrtuar Projektligjin për mbrojtjen e të dhënave personale dhe Projektligjin për statusin e punëtorëve të arsimit shqip të viteve 1990-të.

Anëtarët e Komisionin kanë miratuar Projektligjin për mbrojtjen e të dhënave personale. Ky projektligj u miratua pa asnjë votë kundër, ngase u konstatua se nuk është në kundërshtim me legjislacionin e BE-së.

E, Projektligji për statusin e punëtorëve të arsimit shqip të viteve 1990-të ndonëse u miratua nga anëtarët e Komisionit, u konsiderua se duhet të jetë barrë e komisionit për Buxhet dhe Financa dhe jo e Komisionit për Integrime Evropiane.

Megjithatë pati diskutim rreth buxhetit që duhet ndarë për këtë kategori. Deputetët thanë se është i pamjaftueshëm për ti paguar të gjithë kontributdhënësit në arsim gjatë viteve të 90-ta, raporton Ekonomia Online.

Deputeti i Vetëvendosjes, Ismajl Kurteshi tha se Institucionet në Kosovë kanë qenë të njoftuara për këtë ligj dhe kanë pasur vërejtje .

“Institucionet në Kosovë kanë qenë të njoftuara për këtë ligj, kanë pas vërejtje të cilat një pjesë e tyre janë marrë parasysh dhe një pjesë jo dhe për faktorin ndërkombëtar ky ligj nuk është i panjohur”, tha ai.

Ndërsa deputeti Milaim Zeka tha se ekzistojnë 2000 persona qe bartin privilegje të panevojshme në Kosovë dhe duhet t’u hiqen këto privilegje që po i kushtojnë shumë buxhetit të Kosovës.

“Unë kam një shqetësim edhe sa i përket këtij ligji por edhe tek ligjet tjera. Kemi disa kërkesa dhe disa ligje që e rrezikojnë buxhetin e shtetit të Kosovës dhe nëse vazhdojmë kështu do ta bankrotojmë komplet shtetin e Kosovës. Shpresoj të hiqen privilegjet e 2000 personave ne Kosovë qe po i kushtojnë shumë buxhetit të Kosovës”, tha Zeka.

Ndërsa Visar Ymeri nga PSD-ja, tha se është plotësisht e nevojshme që ti njihet punëtorëve të arsimit stazhi i punës për kontributin e tyre në vitet e 90-ta.

“Mbase komisioni ynë nuk është vendi i duhur qe ti diskutojmë çështjet rreth këtij ligji. Ky ligj del jashtë këtij fushëveprimi pasi që krijon një çështje konkrete për Republikën e Kosovës. Këtë duhet ta shtrojmë në dy drejtime. Ne kurrë nuk mund ta realizojmë realitetin tonë financiar. Kur bëhen bashkë të drejtat që i japin kategorive të ndryshme duhet dikush të ia qet lapsin dhe ta shohim sa po na kushton kjo.

“Ky diskutim do duhej në Komisionin për buxhet dhe financa sepse ata duhet ta njohin barrën buxhetore. Duhet të kemi skema të ndryshme pensionale. Duhet çështjen e pensioneve ta përfshijmë në një kod pensional. Vetëm kështu do ndërtonim një skemë e cila do kishe një barazi pak më të madhe. Ne duhet të mendojmë pak edhe për barazinë e qytetarëve. Është plotësisht e nevojshme që t’u njihet punëtorëve të arsimit stazhi i punës për kontributin e tyre në vitet e 90-ta”, tha Ymeri, raporton EO.

Ndërsa Ismet Beqiri nga LDK-ja, tha se këto çështje është dashur që të shqyrtohen më herët sepse është shpenzuar buxheti i shtetit duke i dhënë pension edhe atij që nuk e ka merituar.

“Pajtohem se buxheti i Kosovës po rëndohet. Unë pajtohem që një të ardhme kjo çështje të zgjidhet. Unë e mbështes këtë projektligj si shenjë mirënjohje dhe respekti duhet t’u njihet kontributi skemave të ndryshme që kanë dhënë në vitet e mëhershme. Por është dashur që këto të shqyrtohen më herët sepse është shpenzuar buxheti i shtetit duke i dhënë pension edhe atij që nuk e ka merituar. Por është e dhimbshme që kategoria e arsimit qe nën presionin e luftës kanë qenë të gatshëm ti mësojnë fëmijët tanë”, tha Beqiri.

E, Zenun Pajaziti nga PDK-ja, tha se ish-punëtorët e arsimit e meritojnë këtë ligj.

“Ky është një propozim i mirë komunitetit i arsimit është komuniteti më meritor. Kur kemi filluar me u bë më racional pasi qe ende nuk e dimë e kush ka kontribuar në këtë skemë. I kemi edhe ligjet që duhet të njihet më mirë dhe të u njihet njerëzve përvoja e punës”, tha Pajaziti.

Fatmire Mulhaxha-Kollçaku, deputete e Vetëvendosjes, ka thënë se mungesa e sistemit pensional po krijon probleme.

“Në periudhën e pas luftës fare nuk njihet stazhi i punës. Mungesa në formimin e sistemit personal po na krijon probleme dhe ka krijuar rritjen e presionit për njohjen e kategorive të veçanta”, tha ajo.

Anëtarët e Komisionit kanë miratuar gjithashtu Projektligjin për parandalimin e dhunës në ngjarjet sportive, i cili i është rekomanduar Kuvendit që të seancën e radhës të hedhet në votim.

 

Të ngjashme