Komisioni për Siguri në pritje të projektligjeve lidhur me transformimin e FSK-së në ushtri

Prishtinë | 18 Sht 2018 | 11:13 | Nga Valbona Bytyqi Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Tri projektligjet që kanë të bëjnë me transformimin e FSK-së në ushtri, ndonëse javën e kaluar janë miratuar në qeveri, ende nuk janë sjellë për shqyrtim në Komisionin për Mbikëqyrjen e FSK-së.

Anëtari i komisionit nga Lëvizja Vetëvendosje,  Rexhep Selimi, tha se  këto projektligje do  të duhej të trajtoheshin me prioritet, raporton Ekonomia Online.

“Për disa prej çështjeve nuk varet nga ne se a do t’i fusim në rend për sesionin vjeshtor apo jo, por varet nga institucionet e tjera dhe sponzorizuesit e nevojshëm”, tha Selimi.

“Ligjet që kanë të bëjnë me FSK-në kanë mbetur pa ardhur në komision, shpresoj që pas kaq vitesh këto të vijnë në komision, sepse ne prej muajit maj e kemi pasur në agjendë”, tha ai.

“Mirëpo tani e dimë që ka një iniciativë për formimin e ushtrisë, dhe nëse vijnë 3 projektligjet në Komision atëherë kemi shumë punë”, tha Selimi duke shtuar se është për çudi sjellja e Ministrisë së FSK-së për këto ligje.

Mirëpo, Fatmir Xhelili tha se nuk ka rrezik që të nguten me këtë çështje, raporton EO.

“Besoj që forma e komunikimit dhe segmentet ndërkombëtare do jenë me kohë dhe me kohë të jetë në Kuvendin e Kosovës. Jemi në kohë qetësie dhe s’kemi rrezik në mënyrë që me u ngutë”.

Ismet Beqiri, nga LDK-ja, tha se duhet që të bëhen publike çështjet që nuk janë realizuar në komision.

“Ajo që është realizu deri më tani është mirë të kemi të dhëna për të, po ashtu edhe për atë që nuk është realizu në mënyrë që ta plotësojmë në këtë periudhë të vitit atë që nuk kemi arritur të realizohet”, tha Beqiri.

Të ngjashme