Komisioni për Arsim miraton fushëveprimin e komisionit

Prishtinë | 24 Shk 2026 | 11:31 | Nga Gzim Mujaj

Komisioni për Arsim, Shkencë dhe Teknologji ka miratuar fushëveprimin e tij, pas diskutimeve dhe propozimeve të anëtarëve nga pozita dhe opozita lidhur me prioritetet dhe mbikëqyrjen në sektorin e arsimit, raporton Ekonomia Online.

Deputeti i LVV-së, Fahrush Rexhepi, propozoi që në fushëveprim të përfshihet edhe mbikëqyrja e zbatimit të ligjshmërisë në disa institucione shkencore, konkretisht në Institutin e Historisë, Institutin Albanologjik dhe Institutin e Pedagogjisë.

“Propozoja futjen e mbikëqyrjes së zbatimit të ligjshmërisë në disa institucione tjera shkencore, për Institutin e Historisë, Institutin Albanologjik dhe Institutin e Pedagogjisë”, tha ai.

Anëtarja e VV-së, Arbërie Nagavci, tha se nga praktika e kaluar Komisioni ka kryer edhe aktivitete që nuk janë specifikuar.

“Ne mund të kryejmë aktivitete edhe mbikëqyrje edhe jashtë asaj që është specifikuar. Propozimi im është që të mos ngarkohet veprimtaria më shumë se sa është cekur”, tha ajo.

Deputeti i PDK-së, Enver Hoxha, theksoi se vendi ka një qeveri të re, por ende mungon një program i qartë për fushën e arsimit.

Ai propozoi një takim paraprak me ministrin për të diskutuar prioritetet, si dhe kërkoi dialog me drejtoritë komunale të arsimit. Sipas tij, një nga sfidat kryesore të mandatit do të jetë inteligjenca artificiale dhe zhvillimi teknologjik.

“Ne kemi një qeveri të re e cila është mbështetur në Kuvend të Kosovës, por nuk kemi edhe një program se cila është qasja në fushën e arsimit. Do të ishte mirë se para se të vijë programi i qeverisë në Kuvend ta kemi një takim me ministrin se çfarë integron në programin e tij të punës (për fushën e arsimit). Do të ishte mirë që të kemi një dialog paraprak. Së dyti, i kemi pushtetet komunale, i kemi drejtoritë e komunave, do të ishte mirë se çfarë prioritete kanë drejtoritë e arsimit në të gjitha komunat e Kosovës. Shqetësimi im serioz është se ne kemi një mandat me të vështirë dhe kjo ka të bëjë me inteligjencën artificiale, teknologjinë.”

Deputetja e PDK-së, Sala Jashari, tha se duhet të funksionalizohet Këshilli Shtetëror i Arsimit Parauniversitar.

Anëtari i Listës Serbe në këtë komision, Nemanja Bisevaq, tha se mbikëqyrja e arsimit të lartë në veri është çështje e dialogut.

“Konsideroj se kjo është çështje e dialogut dhe se është një nga kompetencat e komisionit të përbashkët të ardhshëm. Prandaj mendoj se ne nuk duhet të merremi me këtë dhe se kjo është çështje e tyre.”

Deputetja e LDK-së, Jehona Lushaku Sadriu, propozoi që në fushëveprim të përfshihet më qartë arsimi fillor dhe parashkollor, si dhe të përmendet në mënyrë eksplicite universiteti në kuadër të arsimit të lartë.

Ajo kërkoi rritje të mbikëqyrjes ndaj universiteteve, prioritet për agjendën evropiane, digjitalizimin dhe arsimin tërëditor, si dhe vëmendje ndaj hartimit të kurrikulave.

“Të shtojmë arsimin fillor dhe parashkollor, përkundër faktit që mbulohet nga komuna. Si komision t’i kemi ndërlidhshmërinë dhe t’i njohim problemet e arsimit fillor dhe parashkollor. Fjala universitet mungon kur flasim për arsimin e lartë, propozoj të përmendet dhe ne duhet ta rrisim mbikëqyrjen për fushëveprimtarinë e universiteteve. Tema si agjenda evropiane dhe harmonizimi me to të jetë diçka prioritare dhe të ushtrojmë presion që tema si digjitalizimi i arsimit tërëditor të bëhemi motor i kërkesës së llogaridhënies për implementimin dhe imponimin e këtyre temave. Të marrim pikëpamje edhe për kurrikulën dhe synimet dhe hartimi i kurrikulave të bëhet për arsim tërëditor”, tha ajo.

Në replikë, deputeti i PDK-së, Enver Hoxhaj, tha se çështjet e arsimit nuk duhet të lidhen me dialogun.

“Nuk ka të bëjë fare me dialog dhe unë si deputet mund ta monitoroj dhe ta mbikëqyr, e unë e shoh që temat e arsimit dhe dijes nuk duhet të jenë tema të një debati të një politike ditore, sepse në fund të ditës të gjithë janë qytetarë të Kosovës”, tha ai.

Të ngjashme