Komisioni për Buxhet i dërgon 4 emrat për guvernator për votim në Kuvend – Nurboja tregon pse “u përjashtua” guvernatori aktual

Prishtinë | 27 Shk 2023 | 16:11 | Nga Ekonomia Online Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Komisioni për Buxhet, Punë dhe Transfere, ka shqyrtuar listën e kandidatëve për pozitën e Guvernatorit të Bankës Qendrore të Kosovës (BQK). Me këtë rast, katër kandidatë sipas Bordit i kanë plotësuar kushtet për t’u përzgjedhur në krye të BQK-së, raporton Ekonomia Online.

Në listën që është dërguar nga Paneli, deputetët e partive opozitare patën kritika sa i përket mënyrës sesi ka shkuar procesi i përzgjedhjes së Guvernatorit.

Kryetari i Bordit të BQK-së, Bashkim Nurboja, tha se nga konkursi i hapur për të parin e BQK-së janë përzgjedhur 4 kandidat dhe se procesi i përzgjedhjes është monitoruar dhe është bërë në bazë të projektit të ambasadës Britanike.

“Procesi është monitoruar nga Ambasada Britanike dhe kanë aplikuar 17 kandidatë, dhe 14 kandidatë janë ftuar për intervistim. Edhe nga projekti është cilësuar se të përzgjedhurit i plotësojnë kushtet. Renditja e kandidatëve është vendosur që të bëhet në bazë të pikave që kanë marr kandidatët. Kandidatët janë Ahmet Ismaili, Nexhat Kryeziu, Lulzim Ismajli e Shkëndije Himaj”, tha ai.

Ai tha se ka pasur ankesa sa i përket një kandidati në këtë proces. Ku dy kandidat kanë pasur pika të njëjta dhe kandidati i 4 është përzgjedhur në listën e ngushtë për shkak të integritetit.

Kandidati i pestë që nuk është futur në listë është Fehmi Mehmeti, guvernatori aktual i BQK-së. Që sipas Nurbojës, Fehmi Mehmeti, guvernatori aktual i Bankës Qendrore të Kosovës nuk ka integritet për të qenë pjesë e konkursit për guvernator të ri.

Deputetja Duda Balje, tha se në këtë përzgjedhje është shkelur ligji për barazi gjinore.

“Ne kemi marrë komplet listën me pesë kandidatë. Nuk kemi kufizim brenda BQK-së me qenë katër ose pesë kandidatë, nuk ka diçka të tillë në bazë të ligjit. Kemi dy kandidatë me pikë të njëjta, në bazë të ligjit për barazi gjinore jeni të obliguar ta respektojmë ligjin. Mendoj se keni shkel ligjin për barazi gjinore, jam e sigurtë. Unë nuk e përkrah këtë raport, sepse ligji për barazi gjinore nuk është për femra, është për barazi. Ju keni shkel ligjin,” tha ajo.

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Mërgim Lushtaku po ashtu kritikoi përzgjedhjen e kandidatëve të kësaj liste.

Sipas tij problem në këtë proces është edhe mospërfshirja e ligjit për barazi gjinore.

“Neve na kanë ardhur në adresë edhe ankesat e palëve, në këtë rast e guvernatorit tanishëm dhe kandidat në këtë garë. Pavarësisht asaj në këto kohët e fundit nuk e kam votuar asnjëherë gati raportin e BQK-së, për procedurën që ju keni përzgjedhur dhe formën, metodologjinë, unë do të jem kritik në këtë aspekt. Nëse shohim se kemi vlerësime të ndryshme por një vlerësim se ju thirreni për barazi gjinore për mua nuk pinë ujë hiç. Nëse nuk rikthehet në rivlerësim kjo listë, sigurisht se vota ime do të jetë kundër, dhe do të pamundësoj votimin për të vazhduar më tutje procedurën”, tha ai.

Bashkim Nurboja tha se sipas Ligji thuhet se personat që zgjidhen duhet që të jenë me integritet.

Deputetja Balje duke ju kundërpërgjigjur tha se Bordi e ka shkelur Kushtetutën.

“Kushtetuta është me e lartë se ligji, ju mund të filozofoni”, reagoi ajo.

Anëtarja e Panelit për Përzgjedhjen e Guvernatorit, Nora Latifi-Jashari tha marrë parasysh se në pozitat udhëheqëse ka pak femra, është mirë t’i japin rendësi.

“Ligji nuk e përcakton sa anëtarë është dashur të vinë në Kuvend. Paneli ka votuar për katër emra. Andaj te ne në përfaqësimi i grave në pozita udhëheqësve është shumë i ulët andaj për neve është me rendësi edhe kjo”, tha Jashari.

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti, tha se ky konkurs nuk është proceduar sipas ligjeve.

“Unë besoj që ky konkurs nuk është zhvilluar sipas ligjeve. Mandej është edhe ky kandidati i 5-të, dhe ligji për barazi gjinore është shkelur. Unë besoj që nuk duhet që të vazhdohet më tutje. Ky konkurs nuk është proceduar sipas ligjit”, tha ai.

Në fund nga Komisioni për Buxhet, Punë dhe Transfere u vendos që raporti duhet të plotësohet me të dhëna duke përfshirë opionin ligjor dhe pikët e të gjithë kandidatëve.

Të ngjashme