Komisioni parlamentar për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe Mbikëqyrjen e Agjencisë kundër Korrupsionit nuk i ka proceduar në Kryesi emrat për anëtarët e Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK).
Gjatë mbledhjes së këtij komisioni, kryetarja Albulena Haxhiu njoftoi lidhur me zgjedhjen e tre anëtarëve të KPK-së, ku theksoi se njëri nga ta për arsye të pa caktuara është tërhequr.
“Kanë qenë tre emra për anëtarë të Këshillit Prokurorial të Kosovës, ku një nga anëtarët është tërhequr dhe ligji e kërkon që 3 emra të procedohen në seancë”, tha ajo.
Korab Sejdiu propozoi që ky komision të kontrollojë punën e gjykatave, raporton Ekonomia Online.
“Është mirë me u interesu që të shikojmë që në këshillin gjyqësor a ka pozita mangu. Ne jemi organ mbikëqyrës dhe është mirë të ju japim sugjerim që të kompletohen”, tha ai.
Gjatë kësaj mbledhje u vendosë që komisioni ta mbikëqyrë Ligjin për kundërvajtje, Gjykatën Kushtetuese dhe Ligjin për Gjykata.
Pikë diskutimi ishte edhe Agjencina Kosovare për Krahasim dhe Verifikim të Pronës ku disa pozita janë pa drejtues.
Sipas kryetares të këtij komisioni Albulena Haxhiu kryeministri duhet të vendos sa më shpejt që këto vende në Agjenci të plotësohen.
“Siç e dini Agjencioni për krahasim dhe verifikim të punës është pa drejtor, pa bord, letra i ka shkuar kryeministrit ku kanë kërkuar që të bëhen propozime për vendet të cilat janë pa drejtues. Ne i bëjmë thirrje edhe njëherë kryeministrit që ti plotësojë këto vende”, tha ajo.