Komisioni parlamentar për Shëndetësi, Punë dhe Mirëqenie Sociale ka miratuar në parim Projektligjin e Punës, raporton Ekonomia Online.
Anëtarja e këtij komisioni dhe deputetja e Vetëvendosjes, Fatmire Kollçaku, për Projektligjin e Punës tha se shpreson se ky Projektligj të jetë sa më i mirë dhe njëkohësisht edhe i zbatueshëm.
Ajo tha se edhe pse ky Projektligj nuk është edhe shumë i mirë, por pasi po votohet në parim athëerë edhe në seancë do të ketë debat ku fokus është prezenca e inspektoratit të punës që në shumë aspekte nuk zbatohet Ligji i Punës dhe pabarazia që momentalisht është në mes sektorit privat dhe publik.
“Ne do ta votojmë në parim për seancë plenare ku aty do të japim komentet tona sepse edhe me këtë ligj ka pabarazi në mes punëtoreve të sektorit privat dhe publik”, tha Kollçaku.
Ajo tha se me këtë Projektligj synohet që të mos ketë pabarazi në mes punëtorëve të sektorit privat dhe publik.
“Ne Projektligjin për Punë e kemi obligim që dallimet t’i zvogëlojmë sepse shumica punojnë në sektorin privat dhe që nga ligji i pagave ata vazhdojnë të jenë të diskriminuar”, shtoi ajo.
Deputeti i PDK-së, Bekim Haxhiu, tha se me Projektligjin e Punës duhet të jetë edhe pushimi i lehonisë dhe prindëror pasi qe mund të ketë mosharmonizim në mes ligjeve.
“Ta kemi Projektligjin e pushimit të lehonisë dhe prindëror sepse duhet të ketë harmonizim të këtij ligji me atë që të mos kemi përputhshmëri të ligjit bazik”, tha Haxhiu.
Komisioni në mbledhjen e sotme po ashtu është takuar me përfaqësues të Inspektoratit Shëndetësor.
Kryeinspektorja në Inspektoratin Shëndetësor të Ministrisë së Shëndetësisë, Ardita Baraku, tha se për vitin 2018-të janë shqiptuar 71 gjoba, 34 mungesa të licencës dhe 1500 ankesa nga qytetarët.
Ajo tha se në bazë të inspektimeve që janë bërë sipas inspektoratit shëndetësor më mirë gjendja është në institucionet shëndetësore publike se sa ato private.
“Më mirë qëndron sistemi shëndetësor publik se sa ai privat e sidomos në pjesën higjienike”, tha Baraku.
“Janë disa çështje që na shqetësojnë neve, na u është kërkuar me qenë mjek të licencuar dhe jemi klasifikuar si shërbyes civil. Nuk kërkojmë pagë marramendëse, por të jemi të barabartë në sistemin publik”, tha ajo.
Inspektorja shëndetësore, Diana Shehu-Devaja, tha se nuk mund të vlerësohen njëjtë punëtorët me kualifikim më të dobët dhe ata më të lartë siç është bërë në rastin e tyre.
“Brenga kryesore Ligji për Inspektoratin Shëndetësor, mbikëqyrja e zbatimit të ligjit nuk mund ta bëjnë punëtorët me kualifikim më të ulët profesional se sa punëtori që është subjekt mbikëqyrës”, tha Shehu-Devaja.
“Ne kërkojmë që specialisti me pas koeficient 5, ndërsa ne me pas 5.1 sepse jemi organ mbikëqyrës me pas një dallim në mes”, tha ajo.
Shehu-Devaja tha se kërkojnë kushte shtesë dhe të trajtohen barabartë si mjekët.
“Jemi të rrezikuar kur shkojmë në inspektim, nuk kërkojmë diçka që nuk e kemi pas, por që na kanë marrë, kërkojmë të paguhet urgjenca apo gatishmëria. Nuk paguhet shujta, jemi mbikëqyrës në të gjitha institucionet në gjithë Kosovën dhe duhet ta kemi shujtën si secili mjek, kujdestaria po ashtu”, tha ajo, raporton EO.
“Ministri na ka përkrah, u paralajmëru edhe para se me hy në grevë dhe më pas ka përfundu, por ministri i ka gjet këto parregullsi, ministri na ka tregu që jemi rangu si inspektorat shëndetësor me koeficient 3.5. Greva është ndërpre se janë premtu që 3.5 koeficient do mund të shtohen shtesa rrezikshmëria, gatishmëria, kujdestaria ama ne kërkojmë që edhe koeficienti të ngritët. Më shumë jemi të shqetësuar për koeficientin sepse shtesat munden me u heq”, tha ajo.
Inspektorja Advije Malaj tha se me koeficientin 3.5 janë dëmtuar specialistët duke u bërë të njëjtë si me mjekët e përgjithshëm.
“Ligji për paga, inspektorët shëndetësor u caktu me koeficient 3.5 qe është për mjek të përgjithshëm, por ne jemi specialist jemi dëmtuar dhe është hendikep në punën tonë”, tha Malaj.