Monitoruesit e organizatës joqeveritare “EC Ma Ndryshe” kanë kërkuar nga kryetari i Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka që të rishikojë dhe përmirësojë procesin e ndarjes së subvencioneve për kulturë e rini.
Një kërkesë e tillë është adresuar për shkak të konstatimit se vendimi i kryetarit të Komunës për formimin e Komisionit vlerësues për subvencionet në kulturë e rini nuk i ka respektuar dispozitat e rregullores 04/2017 të Ministrisë së Financave mbi kriteret, standardet dhe procedurat e financimit publik të OJQ-ve. Po kështu kjo organizatë ka vlerësuar se propozim-vendimi i Komisionit vlerësues për ndarjen e subvencioneve përmban elemente të konfliktit të interesit, shkruan sot Koha Ditore.
“EC konstaton se vendimi i kryetarit të Komunës i datës 6 prill 2018 për formimin e Komisionit vlerësues nuk i ka respektuar dispozitat e rregullores 04/2017 të MF-së mbi kriteret, standardet dhe procedurat e financimit publik të OJQ-ve. Po ashtu konsideron se propozim-vendimi i Komisionit vlerësues përmban elemente të konfliktit të interesit”, thuhet në një komunikatë të kësaj organizate.