Një kompani kanadeze ka gjetur një mënyrë që të shndërrojë plastikën e landfilleve në karburant diesel dhe benzinë.
Teknologjia tashmë përdoret nga Sparta Group, kompania që qëndron pas pilot-projektit të njohur si Phoenix, për të furnizuar me karburante kamionët e kompanisë.
“Pesë tonë plastikë mund të shndërrohen në rreth 4.000 litra”, tha John O’Bireck, president i kompanisë Sparta Group që gjendet në qytezën Whitby në periferi të Torontos. “Dhe 4.000 litra mund të furnizojnë 10 automjetet tona çdo ditë duke udhëtuar 16 orë në ditë”.
Kamionët përdoren për të transportuar mbeturinat industriale.
Teknologjia përdor temperatura të larta që shkaktojnë dekompozimin e plastikës, një proces që njihet si “pyrolysis”. Plastike ndahet në copa të vogla, futet në një enë hermetike dhe nxehet pa oksigjen, në mënyrë që të mos digjet derisa dekompozohet, thotë O’Bireck. Plastikat e përdorura janë ato që nuk mund të riciklohen dhe që do të përfundonin në deponi.
“Nëse e merrni plastikën ashtu siç është, ajo do të shkojë në tokë dhe do të qëndrojë aty për mijëra vite”, tha O’Bireck.
“Në industri, ne mund ta marrim atë, ta shndërrojmë plastikën dhe ta kthejmë përsëri në fabrikë që do të përdoret (si karburant) nga fabrika”, tha ai.
“Duke shtuar këtë teknologji, ne po e shndërrojmë atë në mënyrë që t’i japim (plastikës) edhe një shans për t’u kthyer jashtë”.
Në provincën Nova Scotia, një tjetër projekt përdor teknologji të ngjashme për të shndërruar plastikën në karburant. Kompania Sustain Technologies Inc. do të përdorë deri në 50,000 tonë mbeturina komunale në vit, kur të funksionojë me kapacitet të plotë.
Sheila McGrory, një zyrtare në Whitby, është shumë e kënaqur që pilot-projekti është i stacionuar në qytetin e sajë.
“Duket se po tërheqin shumë vëmendje ndërkombëtare, njerëz nga pjesë të ndryshme të botës vijnë dhe shohin fabrikën teksa funksionon”, thotë ajo. “Është një teknologji e shkëlqyer. Është shumë e rëndësishme për të ardhmen e planetit”.
Keith Brooks, drejtori i programit të një organizate për mbrojtjen e mjedisit, tha se procesi akoma përdor plastikë për të krijuar lëndë djegëse fosile dhe se ekziston një zgjidhje më e mirë.