Kompletimi i akteve nënligjore për Ligjin e Investimeve Strategjike duhet të shihet me prioritet nga ana e Qeverisë ashtu që ligji i cili ka krijuar shumë pritje nga ana e investitorëve strategjikë të mund t’i shërbejë qëllimit për çka është aprovuar. Ky konkluzion doli nga tryeza e organizuar nga Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë me Ministrin e Diasporës dhe Investimeve Strategjike Dardan Gashi.
Ministri Dardan Gashi tha se Ministria që ai drejton do të vazhdojë të ketë bashkëpunim të ngushtë me rrjetet e bizneseve të diasporës anembanë botës me qëllim të inkurajimit dhe lehtësimit të investimeve të tyre në Kosovë. Ai poashtu tha se duhet të punohet me ritëm të shtuar në kompletimin e infrastrukturës ligjore për investimet strategjike, duke shtuar se kjo bëhet më e nevojshme për shkak të interesimit të madh që kanë shfaqur investitorët potencialë seriozë të huaj për investime në fusha të ndryshme. Ai poashtu sqaroi objektivat e ligjit dhe kriteret në bazë të të cilave një investitorë, i huaj apo vendor, mund të fitojë statusin e investitorit strategjikë, si dhe përfitimet të cilat dalin nga një status i tillë.
Drejtori Ekzekutiv i Odës Amerikane Arian Zeka shprehu gatishmërinë e komiteteve përkatëse brenda kësaj organizate për ofrimin e kontributit konkret në draftimin e udhëzimeve administrative që duhet të rregullojnë funksionalizimin e Ligjit mbi Investimet Strategjike. Ai shprehu mendimin e tij se duhet bërë një ndarje e qartë e autoritetit ndërmjet Ministrisë së Diasporës dhe Investimeve Strategjike dhe Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë, e cila ka qenë sponsorizuese e ligjit në fjalë.
Bizneset e pranishme në tryezë shprehen komentet dhe rekomandimet e tyre përkitazi me implementimin më të efektshëm të ligjit por edhe tërheqjes së investimeve nga diaspora.