Komuna e Ferizajt përkrahë me nga tri koshere me bletë 126 fermerë

Prishtinë | 27 Kor 2017 | 12:39 | Nga

Komuna e Ferizajt ka bërë shpërndarjen e nga 3 koshereve me bletë për 63 fermerë ferizajas, ndërsa edhe për 63 fermerë do të jepet nesër ky subvencion.

Drejtori për Bujqësi dhe Pylltari në Komunën e Ferizajt Ismet Vranovci vlerësoi se ky subvencion është mjaft i nevojshëm për fermerët ferizajas.

“Kemi pasur kërkesa të shpeshta nga fermerët tanë për subvencion me kosheret he bletë ngase kjo veprimtari ka filluar të marr hov në rajonin tonë. Po shpresojmë se kjo verë do të jetë e përshtatshme me kushtet klimatike për të prodhuar sasi të mjaftueshme mjalti ngase vera e kaluar nuk ishte në favor të bletarëve. Përndryshe në po u qëndrojmë afër gjithmonë atyre që janë të interesuar me këshilla dhe subvencione në mënyrë që prodhimi i mjaltit të jetë cilësor dhe fermerët të mbeten të kënaqur nga ky bashkëpunim” tha drejtori Vranovci me këtë rast.

Edhe fermerët që morën koshere me bletë u shprehën falënderues ndaj ndihmës që po u jep komuna për të zhvilluar bletarinë. Fatmir Musliu nga fshati Slivovë tregoi se kosheret e marra sot kanë një vlerë prej 400 eurosh të cilat vështirë se do t’i siguronte.

“Unë kam disa koshere në shtëpi edhe me këto do ta zgjeroj punën , përndryshe falënderoj komunën se nuk do t’ia dilja vet të punoj kaq shpejt me bletët” u shpreh fermeri Musliu.

Në mesin e përfitueseve të koshereve me bletë është edhe shkolla e mesme për Agrobiznes dhe Teknologji. Drejtuesit e shkollës thanë se ky subvencion do të shërbejë për kuadrot e reja dhe do të jetë një pasuri e shkollës në të ardhmen.

Projekti i subvencionimt të bletarëve ka kushtuar rreth 37 mijë euro, ku 25 për qind e mjeteve janë dhënë nga fermerët kurse 27 mijë të tjera janë mjete të komunës.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme