Komuna e Prishtinës dhe Policia e Kosovës kundër dhënies lëmoshë fëmijëve në rrugë

Prishtinë | 05 Kor 2018 | 12:57 | Nga Enea Osmani Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Komuna e Prishtinës dhe Policia e Kosovës kanë organizuar aktivitet për vetëdijesimin e qytetarëve lidhur me fëmijët që kërkojnë lëmoshë dhe që bëjnë punë të rënda.

Aktiviteti u mbajt te semaforat afër Katedrales “Nënë Tereza”, vendi ku zakonisht janë të pranishëm këta fëmijë gjatë ditës, raporton Ekonomia Online.

Vebi Mujku, drejtor i Qendrës për Punë Speciale në Komunën e Prishtinës, tha se ky veprim është ndërmarrë për sensibilizimin e qytetarëve që të mos u japin lëmoshë fëmijëve që kërkojnë në rrugë.

“Këta fëmijë edhe po e rrezikojnë veten, edhe vozitësit e tjerë, edhe shëndetin e tyre”.

“Kemi një numër të madh fëmijësh që nuk e vijojnë mësimin me të vetmen arsye se kërkojnë lëmoshë, me prindërit e tyre ose edhe vetë”.

Salih Dragidella, shef i sektorit për parandalim dhe projekte, tha se përveç që këta fëmijë rrezikojnë veten dhe të tjerët, ata bëhen edhe viktima të krimeve.

“Më e keqja është se këta fëmijë mund të jenë viktima të trafikimit, të veprave penale, të abuzimit dhe keqpërdorimit”.

“Besoj se kjo fushatë dhe broshura do ta kenë efektin e vet në reduktimin e këtyre fëmijëve”.

Dragidella shtoi se këta fëmijë janë edhe nga Shqipëria. Ai tha se i kanë kthyer disa herë atje, por ata kanë ardhur prapë në Kosovë.

Rexhep Gojnovci, drejtor i organizatës “Akti”, tha se lëmosha vetëm i dëmton fëmijët, raporton EO.

“Nuk e ndihmon një fëmijë nëse i jep lëmoshë, vetëm e dëmton”.

Një qytetar rasti bëri apel që Ministria e Mirëqenies Sociale ta marrë seriozisht vendimin për largimin nga rruga të këtyre fëmijëve.

Ai u ankua edhe për sjelljen jo të mirë të fëmijëve që kërkojnë lëmoshë, gjatë natës, raporton EO.

“Unë banoj këtu dhe çdo ditë i shohë pengesat që ata na bëjnë neve si qytetarë, prishin pastërtinë në qytet, kërcasin në këto shenjat e komunikacionit gjatë natës. I bien me guri e me s’di çka, i thejnë këto shportat e bërllokut, këto të voglat shportat, çka është më e keqja në hyrjen e parë ku unë banoj ata gjatë natës vijnë dhe kryen nevoja fiziologjike”.

Ndërsa një pjesëmarrës në komunikacion shprehi keqardhje për gjendjen e fëmijëve që kërkojnë lëmoshë dhe ta se duhet t’u lejohet të rrinë te semaforët. Sipas tij, ata nuk e bëjnë këtë gjë nga dëshira, prandaj nuk duhet të pengohen.

Të ngjashme