Komuna e Prishtinës dhe TIKA nënshkruajnë marrëveshje për renovimin e shkollës fillore “Elena Gjika”

Prishtinë | 03 Kor 2018 | 15:19 | Nga Enea Osmani Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Agjencia Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim (TIKA) dhe Komuna e Prishtinës kanë nënshkruar memorandum për realizimin e projektit “Renovimi dhe pajisja me inventar i shkollës ‘Elena Gjika’”.

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, falënderoi Agjencinë Turke për bashkëpunimin e radhës.

“Sot kemi nënshkruar një marrëveshje që ka të bëjë me arsimin, përkatësisht me shkollën ‘Elena Gjika’. ‘Elena Gjika’ është një prej shkollave më të vjetra, mirëpo edhe njëra prej shkollave në gjendjen më të rëndë”.

“Do ta rregullojmë me bashkëfinancim. Pjesën më të madhe të renovimit do ta mbajë Agjencioni Zhvillimor ndërsa ne do ta bashkëfinancojmë një pjesë”.

“Sot i nënshkruam dy protokolle, njëra që ka të bëjë me renovimin dhe pjesa tjetër që ka të bëjë me inventarin e shkollës”.

Përveç renovimit dhe inventarit, do të investohet edhe në fushën sportive të kësaj shkolle. Kjo do të bëhet nga Komuna e Prishtinës, theksoi kryetari Ahmeti.

“Ne planifikojmë dhe synojmë që shkolla të jetë gati për fillimin e vitit të ardhshëm shkollor”.

Hasan Burak Ceran, koordinatori i TIKA-s në Kosovë, u shpreh i kënaqur me bashkëpunimin e Komunës së Prishtinës.

Ai theksoi se kjo është pjesa e dytë e renovimit të shkollës.

“Në vitin 2016 kemi hapur dhjetë klasë dhe një bibliotekë që është furnizuar dhe renovuar nga ana e agjencisë turke TIKA”.

Ceran tregoi edhe për bashkëpunimet e tjera në Kosovë, si dhe të ardhshmet.

“Ky nuk është projekti i vetëm i TIKA-s në Kosovë, ajo ka investuar edhe në konviktin e Sadik Stavilecit në Gjakovë, në çerdhen ‘Ardhmëria’ në Drenas, çerdhen ‘Armela’ në Podujevë. Në të ardhmen TIKA do të kontribuojë edhe në fushën e kulturës dhe bujqësisë”.

Të ngjashme