Gjatë përurimit të projektit për pajisjen me inventar dhe instalim të dhomës senzorike në Qendrën e Shoqatës “Autizmi”, kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, tha se ky është fillim për një qendër më të madhe e cila, sipas tij, do të jetë në shërbim të fëmijëve me Autizëm dhe Sindromin Down.
“Kjo qendër sot është vetëm një paralajmërim, për financimin e përbashkët që do ta bëjmë me TIKA-n në një qendër e cila do të jetë qendër e fëmijëve me Autizëm dhe Sindromën Down. Kjo qendër do jetë bashkëfinancim i Komunës së Prishtinës, TIKA-s dhe shoqatave për Sindromën Down dhe shoqatat e Autizmit, dhe do ofrojë shërbime të cilat në shumicën e rasteve ku prindërit nuk kanë mundësi të paguajnë ose të gjejnë shërbime të tilla në institucione publike dhe shtetërore”.
Ahmeti ftoi prindërit dhe familjet që mos ta marrin autizmin si ngcje apo sëmundje, raporton Ekonomia Online.
“Dua të dërgoj një mesazh tjetër, përqindja e fëmijëve me autizëm si përqindje në popullatë të përgjithshme është pothuajse konstante në të gjithë botën. Numri i fëmijëve të diagnostifikuar në Kosovë është më i vogël sesa përqindja që dihet. Ftoj prindërit dhe familjet që autizmi nuk është ngecje, nuk është sëmundje. Fëmijët me autizëm janë të veçantë, të veçantë për të mirë. Me talente dhe aftësi të posaçme dhe në asnjë mënyrë në shoqërinë tonë nuk duhet të lejohet as diskriminimi, as mosintegrimi nëpër institucionet tona, qoftë arsimore apo institucione tjera. Prandaj si shoqëri duhet të punojmë bashkë që t’i ndihmojmë por edhe t’i integrojmë, sepse jemi të barabartë të gjithë”.
Ambasadorja e Turqisë, Kıvılcım Kiliç, ka thënë se TIKA është e kënaqur që ka mundësi t’ua përmirësojnë kushtet fëmijëve.
“Ndihemi të kënaqur që me këtë mbështetje mund të përmirësojmë jetën dhe kushtet e këtyre fëmijëve. I gjithë qëllimi është të mundësojmë që këta fëmijë të ndjehen si pjesë e shoqërisë”.
Cen Krasniqi, kryetar i shoqatës së Autizmit, ka thënë se prindërit e fëmijëve me autizëm përballen me kushte të vështira, raporton EO.
“Ne prindërit e fëmijëve me autizëm jemi shumë të sfiduar. Nuk mundemi vetë të ballafaqohemi përpos me mosdije çka të bëjmë, edhe me shpenzime të mëdha”.
“Është e papërshkrueshme se sa dallim ka ku i kemi zhvillu aktivitetet. Me një buxhet mjaft të lartë i ka financu pajisjet mjaft specifike, dhomën integruese, thjesht iu ka ndihmu shumë. Për ne është e rëndësishme çdo ndihmë, si nga aspekti materialm por më shumë nga aspekti psiqik”.
Ai ka treguar se në qendër janë 50 fëmijë dhe vetëm 18 terapistë.