Komuna e Prishtinës lanson platformën digjitale për komunikim

Prishtinë | 22 Nën 2016 | 11:33 | Nga Albulena Misini Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Komuna e Prishtinës, tani e tutje komunikimin me qytetarët do ta realizojë edhe në mënyrë digjitale. Kjo pasi që sot drejtues të kësaj komune prezantuan platformën digjitale për pjesëmarrje publike, e cila sipas tyre do të mundësojë qasje qytetarëve të kësaj komune që të adresojnë kërkesat, apo ankesat nga lagjet ku jetojnë.

Kryetari Shpend Ahmeti, tha se me këtë platformë nuk zëvendësohet diskutimi publik, por do ta shtojnë mundësinë e komunikimit edhe në formën digjitale, në mënyrë që të marrin mendimet e qytetarëve për projektet e ndryshme, raporton Ekonomia Online.

“Kjo platformë mundëson që qytetarët të komunikojnë drejtpërdrejt me komunën dhe që të votojnë për projektet e caktuara”, u shpreh Ahmeti.

Ndërsa Muhedin Nushi, Drejtor i Drejtorisë së Administratës në Komunën e Prishtinës,  tha se përmes kësaj platforme, do të rritet edhe më shumë transparencën dhe llogaridhënia e Komunës, karshi qytetarit.

Nushi ka thënë se për këtë platformë janë trajnuar 54 persona dhe se fillimisht do të jenë pilotë projekte.

“Momentalisht Platforma online të kësaj natyre do të zhvillohen vetëm në dy qytete, sot në Prishtinë e më pastaj edhe në Gjakovë. Kjo është bërë në bashkëpunim me OSBE-në”, tha drejtori Nushi.

Dritarja e Platformës digjitale për pjesëmarrje publike është publikuar në ueb faqen e Komunës së Prishtinës.

Në fund, Christopher Tuetsch, Drejtor i Departamentit të Demokratizimit në OSBE, shfaqi kënaqësinë e tij për bashkëpunimin e shkëlqyeshëm në mes OSBE-së dhe Komunës së Prishtinës e që është konkretizuar në projekte siç është edhe lansimi i kësaj platforme.

Ai tha se kjo organizatë do të ndihmojë të gjitha projektet e inkuadrimit të publikut në pjesëmarrje aktive dhe në proceset vendimarrëse nga autoritetet lokale.

ne-komun shpendi

 

Të ngjashme