Kuvendi Komunal i Prishtinës me 33 vota pro, 8 kundër dhe 4 abstenime ka miratuar Propozim-rregulloren për taksën administrative për dhënien e lejes ndërtimore dhe tarifën për rregullimin e infrastrukturës.
Kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, ka sqaruar para ekzekutivit komunal lidhur me këtë taksë, duke thënë se kjo është e ulët, në krahasim me parametrat që i kanë dhe me kryeqytetet tjera në regjion.
“Tirana 1 për qind taksë administrative e kostos së ndërtimit dhe pas marrjes së lejes 8 për qind si taksë e vlerës së shitjes së ndërtimit”, u shpreh Ahmeti, duke thënë se “kjo është sa 6 fishi i taksës në Prishtinë”.
“Podgorica e ka diku përafërsisht 110 euro për metër katror, Shkupi 120 euro për metër katror, për Beograd e Zagreb s’po flasim se janë gati 150 euro për metër katror, ndërsa ne po flasim për vlerë 20 euro metër katror”, tha Ahmeti.
Ahmeti tha se në Prishtinë kanë hyrë 2 miliardë euro ndërtim me leje e pa leje, ndërsa janë shpenzuar për afërsisht 130-150 milionë euro.
Në vazhdim asamblistët kanë vazhduar diskutimin lidhur me Propozim-rregulloren për taksën administrative për dhënien e lejes ndërtimore dhe tarifën për rregullimin e infrastrukturës.