Drejtoresha e Arsimit në Komunën e Prishtinës, Jehona Lushaku-Sadriu, ka njoftuar se ka marrë vendim për ndalimin e përdorimit të Doracakëve ‘Edukimi Seksual dhe Shëndeti Riprodhues’ 1-5, 6-9 dhe 10-12 në shkollat e Prishtinës.
Ajo tha se kjo është e paprecedentë që pushteti po e keqtrajton familjen kosovare.
“Është skandaloze se si Ministrja në pushtet, në krye të të vetmit institucion përgjegjës për tekstet mësimore, ka aprovuar dhe ka promovuar material me përmbajtje perverse”.
Njoftimi i plotë:
Të dashur qytetarë,
Sot kam marrë vendim për ndalimin e përdorimit të Doracakëve ‘Edukimi Seksual dhe Shëndeti Riprodhues’ 1-5, 6-9 dhe 10-12 në shkollat e Prishtinës.
I bëjmë thirrje të gjitha komunave të marrin hapa dhe të ndalojnë përdorimin e këtyre materialeve në shkollat e tyre!
Është e paprecedentë, se si ky pushtet po keqtrajton familjen kosovare. Është skandaloze se si Ministrja në pushtet, në krye të të vetmit institucion përgjegjës për tekstet mësimore, ka aprovuar dhe ka promovuar material me përmbajtje perverse.
Këto tekste në vend se të plasonin njohuri e diskutim bazik për edukimin seksual, kanë paraparë aktivitete në praktikë- prekje me fëmijë nën moshën adekuate. Kjo përmbajtje është jo vetëm e dëmshme, por edhe abuzuese me fëmijët.
Me LDK-në në pushtet do të kthejmë dinjitetin e mësimdhënësve dhe vet institucionit arsimor. Do ta bëjmë një vend ku fëmijët tanë do të jenë të sigurtë dhe do të kenë mundësi të zhvillohen e marrin dije.
Si LDK do të sigurohemi të kemi profesionistë të aftë që kontrollojnë cilësinë e materialeve shkollore që aprovohen nga MASHT.
Abuzimi me tekste, dëshmon abuzim me pushtetin; abuzim me familjen dhe fëmijët!