Zyra Kombëtare e Auditimit në raportin për vitin 2017 ka evidentuar nëntë raste me tejkalim të limitit kohor me ushtrues detyre (UD) disa prej të cilëve që nga viti 2015.
Sipas Ligjit për Shërbimin Civil, neni 30, në rast të pozitave të lira, Ushtruesi i Detyrës (UD) nuk mund të emërohet më gjatë se tre muaj.
“Mbulimi i pozitave menaxhuese me UD mbi kohën e paraparë, rrit rrezikun që performanca e realizuar dhe përgjegjësia në këto pozita të mos jetë në nivelin e kërkuar”, theksohet në raportin e Auditorit.
Pagë të ndryshme për punë të njëjtë
Gjatë rishikimit të disa rasteve ku janë bërë harmonizimet në sistem sipas katalogut të vendeve të punës, është konstatuar se në Komunën e Prishtinës nuk është respektuar parimi europian i dalë nga ky katalog, paga e njëjtë për punën e njëjtë.
Te Qendra për Punë Sociale, Auditori ka vërejtur se për të gjithë zyrtarët që kishin koeficientin 5.5, MAP ka aprovuar koeficientin 6 (grada 10).
Mirëpo në një rast, edhe pse zyrtari kishte pozitën e njëjtë sipas koeficientit 5.5, ai është duke u kompensuar me koeficientin 7. Megjithatë, aktemërimi për koeficientin aktual nuk është azhurnuar.
“Diferencat në gradime për punën e njëjtë, mund të sjellin demotivim te punonjësit tjerë të cilët kryejnë punën e njëjtë duke rrezikuar cilësinë e punës dhe shërbimet e ofruara ndaj qytetarëve”, thuhet në raportin e Auditorit.
9 raste me kontratë mbi vepër më gjatë se gjashtë muaj
Gjatë testimit të Marrëveshjeve për Shërbime të Veçanta (MSHV) në nëntë raste, Auditori ka vërejtur se Komuna kishte angazhuar zyrtarët në kryerjen e punëve për periudhën më të gjatë se gjashtë muaj dhe pa procedura përkatëse të rekrutimit.
Ky staf ishte angazhuar në pozita të ndryshme si zyrtarë për media, koordinatorë, bashkëpunëtorë, arkitekt, zyrtarë për infrastrukturë, anketues, operatorë, asistent, etj.
“Mbulimi i pozitave me marrëveshje të përkohshme rezulton me performancë dhe monitorim të dobët të stafit dhe rritë pasigurinë nëse në pozitat e tilla është angazhuar stafi adekuat. Mungesa e konkurrencës së mirëfilltë dhe cilësia e shërbimeve të ofruara mund të jetë e nivelit të dobët dhe objektivat e organizatës të mos arrihen”, thuhet në raportin e Auditorit.