Komuna e Prizrenit s’arrin t’i arkëtojë 20 milionë euro borxhe

Prishtinë | 28 Tet 2019 | 13:48 | Nga Ekonomia Online

Borxhet e palëve të ndryshme ndaj Komunës së Prizrenit, sipas raportit të Komisionit për verifikimin dhe inkasimin e llogarive të arkëtueshme, paraqesin një barrë për pushtetin lokal, pasi që ato po shtohen prej vitit në vit, ndërkohë që kanë filluar të bëhen edhe të pamenaxhueshme me kapacitetet në staf dhe logjistikë.

Gjetjet e këtij raporti theksojnë se mospërmbushja e detyrave nga ekzekutivi dhe stafi vartës ka bërë që llogaritë e arkëtueshme t’i afrohen shumës prej 20 milionë eurove, shkruan sot “Koha Ditore”.

“Rritja e shifrave të këtyre obligimeve po i afrohet 20 milionëshit, me një trend të vazhdueshëm të rritjes, si pasojë e moskryerjes së detyrës nga ekzekutivi-drejtorët dhe stafi vartës i drejtorive përkatëse”, shkruan në raportin për llogaritë e arkëtueshme, respektivisht verifikimin dhe arkëtimin e tyre.

Komisioni për llogaritë e arkëtueshme është emëruar nga kryetari Haskuka me detyrën që për 6 muaj të hulumtohet dhe analizohet çështja e llogarive të arkëtueshme dhe gjetjet e rekomandimet të prezantohen para organeve komunale. Raporti parashihet që të shqyrtohet në mbledhjen e radhës të Kuvendit të Komunës.

Në këtë raport theksohet se objektiva kryesore është që viti 2019 të jetë vit i ndalimit të rritjes së llogarive të arkëtueshme, duke ndërmarrë veprime në bazë të legjislacionit në fuqi.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme