Komuna e Shtimes i përsërit shkeljet në një tender

Prishtinë | 13 Jan 2026 | 13:35 | Nga Ekonomia Online

Dy ankesa të ndara kanë zbuluar të njëjtat parregullsi në aktivitetin e prokurimit të Komunës së Shtimes. Ekspertët e OSHP-së kanë konstatuar shkelje në trajtimin e operatorëve ekonomikë dhe në zbatimin e kritereve të vlerësimit. Por, vendimi përfundimtar ende mungon, pasi pritet që Paneli Shqyrtues të japë verdiktin final.

Një aktivitet prokurimi i Komunës së Shtimes, i shpallur për mirëmbajtjen e rrugëve me zhavorr, ka përfunduar përseri nën shqyrtimin e Organit Shqyrtues të Prokurimit pasi dy operatorë ekonomikë kanë parashtruar ankesa të ndara, por me përmbajtje të ngjashme, duke vënë në dyshim ligjshmërinë e veprimeve të Autoritetit Kontraktues.

Të dyja ankesat janë shqyrtuar nga ekspertë të OSHP-së, të cilët në raportet përkatëse kanë konstatuar shkelje serioze procedurale dhe materiale nga ana e komunës, duke e bërë të qartë se procesi ka devijuar nga parimet themelore të Ligjit për Prokurimin Publik. Megjithatë, përkundër këtyre konstatimeve, vendimi ende nuk është përfundimtar, pasi pritet të merret nga Paneli Shqyrtues i OSHP-së, i cili ka fjalën e fundit për epilogun e kësaj lënde.

Shkeljet e konstatuara në raportin për ankesën e “Arsimi Company Sh.P.K.”

Në raportin e ekspertit shqyrtues lidhur me ankesën e operatorit ekonomik “Arsimi Company Sh.P.K.”, konstatohet se Komuna e Shtimes ka aplikuar kritere dhe kërkesa teknike të paqarta, kontradiktore dhe në disa raste edhe të fabrikuara gjatë fazës së vlerësimit të ofertave.

Eksperti evidenton se Autoriteti Kontraktues ka kërkuar dëshmi për pajisje që ose nuk kanë qenë të parashikuara qartë në dosjen e tenderit, ose janë interpretuar në mënyrë të ndryshme gjatë procesit të vlerësimit, duke cenuar parimin e barazisë së trajtimit dhe transparencës, shkruan Demokracia.com.

Raporti nënvizon se dokumente të dorëzuara nga operatori ankues janë shpërfillur pa arsyetim të qëndrueshëm ligjor, ndërkohë që janë kërkuar sqarime për elemente që realisht kanë qenë të verifikueshme dhe të dokumentuara. Sipas ekspertit, këto veprime përbëjnë shkelje të rënda të Ligjit për Prokurimin Publik, pasi Autoriteti Kontraktues ka vepruar në mënyrë arbitrare, duke krijuar standarde të reja gjatë procesit, të cilat nuk kanë qenë pjesë e njoftimit për kontratë apo dosjes së tenderit, gjë që e bën të gjithë procesin të kontestueshëm dhe juridikisht të paqëndrueshëm.

Shkelje të njëjta dhe trajtim i pabarabartë në ankesën e “Ermal Sylaj B.I.”

Edhe në raportin e dytë të ekspertit shqyrtues, që lidhet me ankesën e operatorit ekonomik “Ermal Sylaj B.I.”, pasqyrohet i njëjti problem thelbësor, mungesa e konsistencës dhe qartësisë në zbatimin e kritereve të vlerësimit nga Komuna e Shtimes.

Ekspertja shqyrtuese thekson se Autoriteti Kontraktues ka eliminuar operatorin ankues për mungesë të disa dokumenteve, ndonëse këto kërkesa janë përmbushur nga operatorë të tjerë në forma të ngjashme ose të njëjta, çka dëshmon trajtim të pabarabartë dhe shkelje të parimit të mosdiskriminimit.

Raporti vëren se kërkesat për libreza qarkullimi për makineri ndërtimore janë zbatuar në mënyrë selektive dhe pa marrë parasysh praktikat e zakonshme të tregut dhe realitetin teknik të këtyre pajisjeve, duke e kthyer procesin e vlerësimit në një ushtrim formal që nuk garanton konkurrencë reale. E

kspertja konstaton se Komuna e Shtimes ka pasur mundësi ligjore që pa e anuluar aktivitetin ta kthente lëndën në rivlerësim të drejtë, por ka zgjedhur një rrugë që ka prodhuar pasiguri juridike dhe dyshime serioze mbi ligjshmërinë e vendimit për anulim.

Në të dyja rastet, ekspertët e OSHP-së kanë arritur në përfundimin se veprimet e Autoritetit Kontraktues nuk kanë qenë në përputhje me frymën e Ligjit për Prokurimin Publik, duke e kthyer këtë aktivitet prokurimi në një shembull tipik të keqadministrimit procedural.

Tashmë, mbetet në dorën e Panelit Shqyrtues të OSHP-së që përmes një vendimi përfundimtar të japë përgjigje nëse këto shkelje do të sanksionohen dhe nëse Komuna e Shtimes do të detyrohet ta korrigjojë një proces që, sipas ekspertëve, ka qenë i cenuar që në themel. 

Të ngjashme