Komuna e Vushtrrisë ka organizuar garën për çiklizëm të quajtur “Tour de Vicianum”, me një gjatësi prej 12 kilometrash, raporton Ekonomia Online.
Kryetari i Komunës së Vushtrrisë, Ferit Idrizi, tha se ky aktivitet është si premtim i tij të bërë gjatë fushatës.
“Ky aktivitet është garë në çiklizëm, të cilën e kam premtuar gjatë fushatës quhet “Tour de Vicianum”, që fillon nga qemdra deri në fshatin Strumë me një gjatësi 12 kilometra dhe atje do të ndahen shpërblimet”, tha Idrizi, i cili premtoi më shumë hapësirë për çiklista.
“Shumë shpejt ne do t’ia japim një dimenzion të ri, pra do të krijohen më shumë shtege për biçiklist dhe do ta promovojmë kulturën e çiklizmit. Kur them se do të hapim më shumë hapësirë për çiklizëm, nënkupton që shumë shpejtë do të angazhojmë një kompani që shumicën e rrugëve të qytetit do t’i kthejmë në rrugë një kahëshe, ku do të lirojmë më shumë hapësirë për këmbësorë dhe për çiklizëm, në mënyrë që mos ta shohim këtë numër kaq të madh të automjeteve për distanca të shkurtra”, tha Idrizi.
Vendi i parë i takoi Arbër Xhemajli, i dyti për Betim Rexha, ndërsa i treti Edmond Sejdiu, për të cilët pati edhe shpërblime.