Komuna e Prishtinës ka ndarë mbi gjysmë milioni eurosh për të paguar edhe këstin e dytë të kredisë për autobusët e rinj, ndonëse kredia për ta është obligim i “Trafikut Urban”, e jo i Komunës.
Komuna ka vazhduar të paguajë këstet për të, ndonëse drejtues të saj në kohën kur patën paguar këstin e parë, patën premtuar publikisht se nuk do të paguajnë këste të tjera, sepse këtë duhet ta bëjë kompania “Trafikut Urban”, e cila edhe shfrytëzon autobusët e rinj, shkruan sot Koha Ditore.
E vendimin për ta paguar edhe një këst të kredisë e ka marrë vetë kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, vetëm pak ditë para përfundimit të vitit që shkoi.
Shuma e kredisë, në vlerë prej 550 mijë eurosh, janë para të buxhetit të Komunës, të cilat nuk dihet se nga cila linjë buxhetore janë tërhequr.