Komuna vendos stendat në shesh, ende s’ka konkurs për librashitësit

Prishtinë | 29 Pri 2017 | 10:08 | Nga

Për 18 vjet shitën libra nën qiellin e hapur, në sheshet e kryeqytetit. Ndërsa këtë javë, pranë tavolinave të tyre, janë vendosur ato që mund të jenë shtëpi për librat e tyre, raporton “038” i KTV-së. Por ato u vendosën në shesh për të qëndruar të zbrazëta.

Kjo pasi që komuna nuk ka shpallur ende konkurs për dhënien në shfrytëzim të këtyre 8 stendave.

Përparësi për të përfituar nga ky konkurs, sipas Mimoza Sylejmanit, kanë librashitësit që për shumë vite e ushtrojnë këtë veprimtari në shesh.

Megjithatë, ajo nuk ka dhënë detaje rreth shfrytëzimit, duke thënë se këto do të qartësohen në konkursin që do të hapet së shpejti.

“Librashitësit e sheshit” janë të lumtur që më në fund po realizohet ky projekt.

As ata nuk janë të njoftuar për mënyrën e dhënies në shfrytëzim e as për detajet tjera të konkursit. Por, shpresojnë që komuna t’i shpërblejë për “sakrificat e tyre” gati dydekadëshe, të shitjes së librit “në borë e në shi”.

Ndërkaq, disenjatori i këtyre stendave thotë se është përpjekur që t’i bëjë ato sa më të përshtatshme. Në këto stenda, sipas Hasit, mund te vendosen deri në një mijë libra.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme