Kryetari i Asociacioni të Komunave të Kosovës, Sazan Ibrahimi, tha se ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia ka vendosur në mënyrë të njëanshme për masat e reja për parandalimin e përhapjes së Covid-19, pa u konsultuar me të gjitha komunat, raporton Ekonomia Online.
Në një intervistë për Ekonomia Online, Ibrahimi tha se kryetarët e disa komunave kanë kundërshtuar këto masa, për shkaqe ekonomike por edhe për shkak të mungesës së stafit inspektues.
“Neve edhe në takimin e fundit si Këshill i Kryetarëve të cilin e kemi pasur me ministrin Vitia, ka qenë zotim që para çdo vendimi rreth masave të reja të ketë konsultim gjithëpërfshirës dhe të mirëfilltë me komunat. Sepse zbatimi i masave bëhet në nivelin lokal e jo në atë qendror. Kjo ka qenë konkludim i përbashkët mirëpo ndodhi që procesi apo zotimet e bashkëpunimit të ndërsjellët të lëndohet ky proces pak dhe kryetarët e komunave kanë kërkuar që të ketë konsultim të mirëfilltë gjithmonë para zbatimit të masave. Në asnjë rast as komunat por as kryetarët e komunave as drejtorët komunalë nuk kanë qenë në mos zbatimin apo kundër zbatimit të masave”, tha Ibrahimi.
Qeveria e Kosovës miratoi të hënën masa të reja për parandalimin e
përhapjes së Coronavirusit.
Këto masa, për dy javët e ardhshme ndalojnë qarkullimin e qytetarëve nga ora
22:00 deri në 05:00, përveç në raste urgjente. Po ashtu, nga data 7 deri në 18
prill, shërbimet e gastronomisë obligohen të pezullojnë aktivitetin e tyre.
“Para disa ditëve Asosacioni i Komunave me kërkesë të ministrit Arben Vitia organizoi takimin e Këshillit të Kryetarëve në të cilën takim u diskutua rreth shpërndarjes së vaksinave, rreth përgatitjes së komunave për procesin e vaksinimit por gjithashtu një ndër temat ishte çështja me pandeminë Covid-19. Në atë takim ishte një konkluzë e përbashkët do të thotë edhe e nivelit qendror edhe atij lokal që duhet një monitorim më strikt i zbatimit të masave, dhe u dakorduam që të kemi konsultime të mëtutjeshme sa i përket këtij procesi”.
“Kryetarët kanë kërkuar staf shtesë inspektues, pasi komunat janë në mungesë të jashtëzanoshme të stafi për t’i inspektuar respektimin e masave. Edhe pastaj kemi pasur takim tjetër për diskutimin e masave të reja nga disa prej kryetarëve, ku këta nga kryetarët nuk i kanë përkrahur këto masa të reja”, deklaroi ai.
Komunat kanë pasur një rënie drastike të të hyrave dhe investimet kapitale nuk janë realizuar. Ibrahimi e cilëson marrjen e vendimit të këtyre masave si rrezik për komunat dhe për ekonominë në përgjithësi.
“Arsyeja kryesore ka të bëjë me zhvillimin ekonomik, dhe në veçanti zhvillimin ekonomik lokal, dhe impaktin e këtyre masave në të hyrat vetanake komunale. Duhet pasur parasysh që gjatë vitit 2020 për shkak të pandemisë komunat kanë pasur një rënie drastike të të hyrave vetanake dhe për këtë arsye edhe investimet kapitale nëpër komunat nuk kanë mund të realizohen, por do të realizohen në të ardhmen pra arsyeja kryesore ka qenë ekonomia, dhe çështja e bujqve”, përfundoi ai.