Komuniteti i Energjisë: Subvencionet direkte të qymyrit në Kosovë janë më të lartat në rajon

Prishtinë | 26 Mar 2019 | 11:01 | Nga Ekonomia Online

“Subvencionet për nxjerrjen e qymyrit dhe prodhimin e energjisë elektrike në Ballkanin Perëndimor i japin qymyrit një avantazh të padrejtë ndaj burimeve të tjera energjetike më pak ndotëse dhe pengojnë kalimin drejt energjisë së pastër”, tregon një studim i publikuar dje nga Sekretariati i Traktatit të Komunitetit të Energjisë.

Sipas studimit, Kosova ka subvencionet më të larta të qymyrit në rajon në krahasim me sasinë e energjisë së prodhuar. Shteti kosovar ka shpërndarë 66.77 milionë euro për industrinë e qymyrit gjatë periudhës 2015-2017, ose një mesatare prej 22.26 milionë eurosh, duke vazhduar kështu përjetësimin  e varësisë së vendit nga qymyri.

Ndërsa nuk është subvencionimi më i lartë në rajon në terma absolutë, ajo është më e larta për njësi të prodhuar të energjisë elektrike, e barabartë me 4.15 euro për megavat orë. Subvencionet kanë përfshirë transferet e drejtpërdrejta nga buxheti, heqjen e borxheve, huatë nga buxheti, dhe sigurimin e garancive të huave shtetërore.

Në tërësi, vendet e Ballkanit Perëndimor mbështetën nxjerrjen e qymyrit dhe prodhimin e energjisë elektrike me subvencione publike direkte dhe indirekte që arrijnë pak më shumë se 1.2 miliardë euro midis vitit 2015 dhe 2017, sipas studimit me titull Analiza e Subvencioneve Direkte dhe të Përzgjedhura Indirekte në Prodhimin e Energjisë Elektrike nga Qymyri për Palët Kontraktuese në Komunitetin e Energjisë, i cili mbulon Ballkanin Perëndimor dhe Ukrainën (2).

Kosova gjithashtu siguroi një subvencion indirekt për industrinë e saj të qymyrit me vlerë 114.5 milionë euro vetëm në vitin 2017, duke mos aplikuar një çmim të karbonit për çdo ton CO2 të emetuar në atmosferë. Megjithatë, këto pagesa do të duhet të bëhen kur Kosova të hyjë në BE dhe me shumë gjasa që edhe më parë, duke e bërë qymyrin një zgjedhje të keqe si ekonomikisht ashtu edhe ekologjikisht.

Në vend që të zvogëlohet, subvencionet në sektorin e qymyrit të Kosovës duket se do të rriten në vitet e ardhshme nëse projekti i diskutueshëm Kosova e Re shkon përpara. Sipas kontratave të nënshkruara me ContourGlobal, qeveria kosovare jo vetëm që do të blejë të gjithë energjinë elektrike nga ky termocentral i planifikuar, por do të siguronte edhe pagesa kur nuk do të operonte, si dhe me garanci të shumta për kompaninë ContourGlobal.

Komuniteti i Energjisë ka shprehur tashmë shqetësime se kontratat mund të falimentojnë edhe vendin (3) pasi që do të rezultonin me kosto të lartë për konsumatorët dhe/ose subvencionet nga Qeveria, ndërsa ContourGlobal do të gëzonte fitim të garantuar dhe pa rrezik (4).

Kosova, ashtu si edhe shtetet e tjera të Ballkanit Perëndimor, është zotuar të ndalojë subvencionet e sektorit të energjisë që u japin kompanive të caktuara një avantazh të padrejtë. Ky është një kusht i anëtarësimit në Komunitetin e Energjisë dhe Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit me BE-në. Kosova kërkohet që të vlerësojë pajtueshmërinë e propozuar të subvencioneve me rregullat e BE-së, e një gjë e tillë bëhet nga Komisioni për ndihmë shtetërore, i cili u votua nga Kuvendi i Kosovës, më 7 Mars 2019.(5)

Duke komentuar mbi studimin, Visar Azemi, Drejtor i Balkan Green Foundation, tha: “Qeveria e Kosovës po i jep subvencione sektorit të thëngjillit sikur të ketë para për të humbur. Çdo cent që shkon në sektorin e qymyrit është një cent që duhet të shkojë në spitale, shkolla, furnizim me ujë ose efiçiencë të energjisë. Është koha që Kosova të bëjë funksional Komisionin për Ndihmë Shtetërore – jo vetëm sepse është një detyrim ndërkombëtar, por sepse pengon humbjen e fondeve publike “.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme